Mjekësia e sportit

Çështja e mjekësisë së sportit është ngritur në nivel të prioritetit të veçantë, nga ana e departamentit të sportit duke pasur në konsideratë edhe trajtimin që ka ky segment në arenën ndërkombëtare, dhe si e tillë mbulon një aktivitet të domosdoshëm në drejtim të përparimit të sportit kah niveli kulminant.

Kjo politikë programore, gjen aplikim të gjerë pothuaj në të gjitha nivelet e sportit, mbulon dhe siguron një rrjedhë normale të aktiviteteve sportive dhe rezulton me të dhëna shumë të dobishme në funksion të përmirësimit të kualiteteve fiziologjike tek sportistët.


Qëllimi / Objektivi



Mjekësia e sportit paraqet një shtyllë të domosdoshme me rastin e kontrollimit shëndetësor, testimeve dhe kualifikimit të sportistëve për të plotësuar kushtet e pjesëmarrjes në aktivitete sportive si dhe për të vlerësuar rezultatet e arritura sportive nëse ato kanë qenë konform rregullave dhe dispozitave të aplikueshme e të pranuara ndërkombëtarisht.

Në këtë drejtim synojmë të pajisim Qendrën e mjekësisë së sportit me aparaturën e nevojshme për të zyrtarizuar dhe për të bërë të obliguara kontrollimet mjekësore për të gjithë sportistët dhe klubet sportive që garojnë në kuadër të federatave të licencuara të sportit. Kjo edhe për faktin se viti 2010 pritet të jetë vit i vazhdimit të ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, me çka krijohen kushtet për dalje më përmbajtësore në arenën ndërkombëtare dhe bëhen obligative testet anti-doping dhe testet tjera për garimet zyrtare.

 

Historiku


Duke qenë segment shumë i rëndësishëm i sportit, në përkrahje të realizimit të kësaj politike, departamenti i sportit ka ndarë bugjet që nga viti 2001, përmes sigurimit të pajisjeve mjekësore për antropometri dhe rehabilitim, pajisjeve për sektorin e fiziologjisë së sportit dhe pajisjeve për anti-doping dhe laboratorin muskular.

Strategjia dhe Metodologjia e zbatimit

Zbatimi i kësaj politike programore mbështetet në këto prioritete:

  • Aftësimi i kuadrit mjekësor për të kryer kontrollet dhe testimet standarde për vlerësimin e aftësive lëvizore dhe funksionale;
  • Sigurimi i pajisjeve / aparaturës mjekësore për sektorin e anti-dopingut – kompletimi i këtij sektori për mbledhjen e mostrave për testim të dopingut;
  • Trajnimi i kuadrit të caktuar për mbledhjen e mostrave të gjakut dhe të urinës në kuadër të sektorit anti-doping;
  • Mbajtja e seminarit të mjekësisë sportive me pjesëmarrjen e mjekëve aktual të sportit dhe mjekëve që synojnë të profilizohen dhe specializohen në mjekësinë e sportit. Ligjëruesit do të angazhohen brenda dhe jashtë vendit dhe planifikohet që për pjesëmarrësit që plotësojnë kriteret të lëshohen certifikata nga Ministria e Shëndetësisë.