Komisioni për licencim të federatave sportive
Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive është emëruar përmes vendimit të nxjerrë nga Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport Z. Hajrulla Çeku, me datë 14 qershor 2022, me numër të protokolit Nr.82/2022, dhe bazën ligjore e ka nga Udhëzimi Administrativ (MKRS) Nr. 01/2022 për Kushtet, Kriteret dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Ri-vlerësimit të Federatave dhe Organizatave Sportive, i cili ka hyrë në fuqi nga data 30 Maj 2022.
Kapitulli V i Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2022 i specifikon çështjet përkatëse lidhur me Komisionin vlerësues, zgjidhjen e ankesave dhe afatet kohore të aplikimit për licencim.
Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive është organ kompetent i autorizuar nga Ministri për shqyrtimin e kërkesave të federatave sportive për dhënien, refuzimin apo revokimin e licencave në fushën e sportit.
Komisioni është themeluar nga Ministri me mandat katër (4) vjeçar, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.
Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë me të drejtë vote, dhe ka këtë përbërje:
> Një anëtar nga Departamenti i Sportit, njëherit kryesues i Komisionit;
> Një anëtar nga Departamenti i Financave në kuadër të MKRS;
> Një anëtar nga Departamenti i Integrimit Evropian dhe Koordinimit të Politikave në kuadër të MKRS;
> Një anëtar me profesion jurist nga Departamenti Ligjor në kuadër të MKRS;
> Një anëtar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Organizimi dhe koordinimi i punës së Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Përbërja e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive është si vijon:
Z. Fidan Shatri – Kryesues (Departamenti i Sportit)
Znj. Egzontina Thaçi – Anëtare (Departamenti i Financave)
Z. Albert Kurtulaj – Anëtar (Departamenti për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave)
Znj. Jehona Bashota – Anëtare (Departamenti Ligjor)
Znj. Blerina Imeri – Anëtare (Komiteti Olimpik i Kosovës)
Znj. Vjollca Shabani – Sekretare e Komisionit
Njoftohen të gjitha federatat e sportit të cilat kanë qenë të licencuara paraprakisht, ashtu si edhe federatat e sportit që kërkojnë të licencohen për herë të parë, që prej datës 18 Korrik 2022 është hapur periudha e aplikimit për licencim me dokumentacionin përkatës në përputhje me kërkesat e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2022 për Kushtet, Kriteret dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Ri-Vlerësimit të Federatave dhe Organizatave Sportive, që është miratuar me datë 30 Maj 2022, për të siguruar vazhdimin e licencës për periudhën e ardhshme sipas ciklit olimpik garues.
Dokumentacioni përkatës për aplikim për licencimin e federatave sportive duhet të adresohet në emër të: Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, dhe duhet të dorëzohet tek zyra e arkivit në kuadër të objektit qendror të MKRS-së në pliko të mbyllura. Dokumentacioni duhet të dorëzohet në kopje fizike dhe në mënyrë elektronike në formatin ‘CD’.
Me qëllim të lehtësimit të procesit të plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm për licencimin e federatave sportive, MKRS-ja ka përgatitur udhëzuesin me formularin e veçantë, në kuadër të të cilit janë përfshirë tabelat përkatëse, të cilat duhet të plotësohen me saktësi dhe korrektësi maksimale, duke përfshirë edhe nënshkrimin e Deklaratës nën betim nga përfaqësuesi i autorizuar i federatës sportive që aplikon për licencim.
->(SHKARKONI KËTU) Udhëzuesi i Aplikimit për Licencim të Federatës apo Organizatës Sportive<-
Udhëzuesin e aplikimit për licencim të federatës apo organizatës sportive, bashkë me tabelat përkatëse e gjeni në vegëzën elektronike vijuese: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Udh%C3%ABzim_Administrativ_(MKRS)_Nr.01-2022_p%C3%ABr_Kushtet,_Kriteret_dhe__Procedurat_e_Themelimit,__Licencimit_dhe_Ri-Vler%C3%ABsimit__t%C3%AB_Federatave_dhe_Organizatave_Sportive.pdf
Në rast se ka nevojë për ndonjë plotësim të dokumentacionit për licencim të dorëzuar në MKRS, Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive do t’iu kontaktojë përmes adresës elektronike zyrtare: [email protected], dhe dokumentacioni përkatës duhet të sigurohet brenda afateve kohore të parapara në Udhëzimin Administrativ Nr.01/2022.