Bashkërendim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame

23.12.2021

Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i shoqëruar nga Saranda Bogujevci, Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, Deputet i Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, dhe nga Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare e ministrit, kanë vizituar sot Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës (BIRK).

Në takim, ministri Çeku dhe delegacioni u pritën nga Myftiu Naim Tërnava, Kryetari i BIRK, me të cilin biseduan për bashkëpunimin institucional të Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit me BIRK-un për të koordinuar veprimet e përbashkëta në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në vendin tonë, me theks asaj islame.

Ata diskutuan për dokumentimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore islame. Po ashtu, u prezantuan projektet ku kanë filluar ndërhyrjet restauruese në kuadër të programit të masave emergjente në xhamitë që gjenden në rajonin e Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit dhe Mitrovicës.

Palët u pajtuan për bashkërendimin e hapave në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje dhe ruajte efikase e trashëgimisë kulturore islame.

Prapa