Promovohet monografia “Abdurrahman Shala-MJESHTRI”

24.04.2024

Mbrëmë në Prishtinë është promovuar libri monografik “Abdurrahman Shala - MJESHTRI që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” nga autori Visar Krusha.

Ceremonia e promovimit filloi nën interpretimin artistik të Armend Smajlit me poezinë “Deti” të Fatos Arapit e cila në mënyrë figurative përshkruante jetën e protagonistit.

Para përfaqësuesve të institucioneve të vendit, të atyre kulturore, familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit, u tha se nisma për botimin e këtij libri ka pasur për qëllim parësor hedhjen dritë mbi një figurë të jashtëzakonshme artistike të vendit tonë, si një thesar i çmuar i trashëgimisë sonë teatrore dhe filmike.

Libri ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë artistike të Abdurrahman Shalës. I ndarë në disa kapituj, ky libër pasqyron jetën e tij që nga fëmijëria, pastaj, në mënyrë kronologjike, rrugëtimin e tij sfidues e plot dramë jetësore, prej aktori të teatrit dhe filmit, regjisori, skenaristi, themeltari e drejtuesi institucional.

Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, artistë, si dhe me persona të tjerë që e kanë njohur mirë dhe kanë punuar ngushtë me Abdurrahman Shalën.

Ministri Çeku në fjalën e tij tha se Abdurrahman Shala si aktor, regjisor, producent dhe si drejtues nismëtar i një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë, Kosovafilmit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve publike kulturore të vendit.

Derisa ky vit shënon 30-vjetorin e vdekjes së tij, ministri tha se botimi i kësaj monografie është akti më i bukur i përkujtimit, me të cilin do ta mbajmë edhe më afër kujtimin e tij të përjetshëm.

Fjalë rasti mbajtën edhe autori Visar Krusha dhe mbesa e Abdurrahman Shalës, Miranda Shala.

Botimi i kësaj monografie është realizuar nga Integra dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës.

Prapa