Takim me partnerët zhvillimorë të sektorit rinor në Kosovë

07.09.2021

Në takimin mes Ministrit Hajrulla Çeku dhe partnerëve zhvillimorë të sektorit rinor u rikonfirmua investimi në të rinjtë si interes shtetëror për zhvillimin e gjithmbarshëm të Republikës së Kosovës. “Politika rinore nuk mund të jetë vetëm shpërndarja e granteve dhe subvencioneve, dhe për fat të keq, kjo është gjithçka që ishte viteve të fundit. Politika rinore është një vizion për të ardhmen e këtij vendi dhe duhet të pasqyrojë vlerat e shoqërisë kosovare,” tha Ministri para përfaqësuesve në takim.

Më tutje, Ministri Çeku ndau arritjet e deritanishme në këtë sektor, reformat e nisura dhe të planifikuara, si dhe politikat më të rëndësishme në programin qeverisës të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit karshi rinisë. Disa nga reformat e prezantuara në takim ishin rritja e buxhetit për programet rinore, themelimi i Komisionit Shtetëror për Rini, investimi kombëtar në vullnetarizëm dhe trajnim në punë, themelimi i Qendrës së Rehabilitimit për të Rinjtë, zbatimi i strategjisë për rini në nivel kombëtar, bashkëpunimi ndër-institucional, plotësimi i Ligjit për Rininë, njohja e punëtorit rinor dhe ri-organizimi i mekanizmave të përfaqësimit rinor.

Pastaj të gjithë përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare prezantuan sektorët prioritar për ta karshi rinisë, programet që kanë implementuar në të kaluarën dhe po implementojnë tani, si dhe format në të cilat janë të gatshëm t’i mbështesin institucionet e Kosovës për të realizuar vizionin tonë shtetëror për rininë. Partnerët prezent ishin: Agjencia Austriake për Zhvillim, Zyra e BE-së në Kosovë, GIZ, Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Misioni i OSBE-së në Kosovë, UNDP në Kosovë, UNFPA në Kosovë, UNICEF në Kosovë, Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, USAID dhe Banka Botërore. Nga MKRS, Ministri Çeku u shoqërua nga këshilltarja politike në kabinet, znj. Dorotea Deshishku.

Prapa