Mbahet tryeza e sportit, e dyta për këtë vit

19.07.2022

Sot u mbajt Tryeza e dytë e Sportit, një platformë e përbashkët e takimeve të komunitetit të sportit, që po shërben në ndërtimin e ideve për zhvillimin e fushës së sportit në Kosovë.

Në këtë takim u diskutua për progresin e bërë deri tani dhe po ashtu u rënditën prioritetet për pjesën e dytë të vitit.

Ndërsa këto janë konkludimet dhe të arriturat që u prezantuan në përfundim:

Hartimi i Strategjisë Shtetërore për Sport

Në kuadër të Grupit Punues për Hartim të Strategjisë Shtetërore për Sport, u prezantuan rezultatet e hulumtimit fillestar, mbi analizën e gjendjes aktuale në fushën e sportit në Kosovë.

Hulumtimi i deritanishëm ka klasifikuar fushat tematike në vijim: qeverisja në sport, infrastruktura sportive, financimi i sportit, sporti garues, trajnerët sportiv, sporti shkollor dhe universitar, aktiviteti fizik dhe rekreacioni i qytetarëve. Gjatë muajve në vazhdim do të mbahen takimet e radhës drejt përfundimit të analizës së gjendjes ekzistuese, përcaktimi dhe finalizim i objektivave, hartimi i planit të veprimit të veprimit dhe miratimi i Strategjisë Shtetërore të Sportit në Qeveri, që synohet të arrihet në fund të këtij viti.

Prezantim i punës në Hartimin e Koncept Dokumentit për Sportin

Koncept Dokumenti për Sport është duke u hartuar nga një ekip i përbërë nga përfaqësues institucional dhe grupi i ekspertëve të jashtëm, vendor dhe ndërkombëtar.

Në kuadër të punës së grupit punues, u prezantuan analiza e bazës ligjore ekzistuese, identifikimi fillestar i problemeve, analiza e palëve të interesit të kyçur në fushën e sportit. Gjatë muajve në vijim do të vazhdohet me hapat e mëtutjeshme për hartimin e Koncept Dokumentit, i cili planifikohet të miratohet në fund të këtij viti.

Databaza e Sportit

Në tryezë u prezantuan rezultatet e punës së ekipit të angazhuar për Hartim dhe Plotësim të Databazës së Sportit, duke theksuar metodologjinë e punës, qasje gjithëpërfshirëse me palët e interesit dhe rezultatet preliminare:

numri total i klubeve sportive në nivel të vendit, numri total i klubeve sportive sipas Federatave të Kosovës, numri total i sportistëve në nivel të vendit, të ndarë sipas gjinisë, moshës, numri i përgjithshëm i stafit mbështetës, niveli i edukimit të trajnerëve.

Rezultatet përfundimtare të këtij hulumtimi pritet të prezantohen gjatë muajit Shtator.

Udhëzimi Administrativ për Licencim të Federatave sportive

Pas aprovimit të udhëzimin administrativ për licencim të Federatave Sportive, MKRS ka filluar me procesin e zbatimit të këtij udhëzimi.

Gjatë kësaj tryeze u prezantua procedura e aplikimit dhe licencimit të Federatave Sportive, duke elaboruar në mënyrë të hollësishme kushtet, kriteret, dispozitat e detyrueshme, aktet nevojshme normative, të dhënat plotësuese që duhet të përmbushen me rastin e aplikimit për licencim.

Licencimi është hapur nga data 18.07.2022, dhe është i hapur tërë vitin.

Aktivitetet Sportive për Vitin e Aftësisë së Kufizuar

Në kuadër të kalendarit të Vitit të Aftësisë së Kufizuar, MKRS mbështet aktivitetet nga fusha e sportit përmes programit të pasur, i cili zbatohet nga Komiteti Paralimpik i Kosovës. Ky Komitet në bashkëpunim të ngushtë me federatat sportive janë duke zhvilluar hapat dhe veprimet e nevojshme për zbatim të aktiviteteve të këtij kalendari.

Pjesëmarrja në garat ndërkombëtare dhe organizimi i garave ndërkombëtare në vend

Qeveria e Kosovës e cilëson diplomacinë sportive si një nga armët më të fuqishme që kemi për të promovuar shtetin tonë dhe për të pasqyruar imazhin e vendit dhe qytetarëve të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Diplomacia sportive do të jetë një urë bashkëpunimi për gjeneratat e ardhshme, prandaj Qeveria e Kosovës e cilëson si një prioritet shumë të rëndësishëm diplomacinë e sportit në kuadër të Strategjisë së Sportit.

Faleminderit të gjithë atyre që ishin prezent dhe dhanë kontributin e tyre në këtë diskutim.

Prapa