Promovohet Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës

25.06.2021

Sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës u mbajt një ngjarje e veçantë.

U bë promovimi i Katalogut të Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike” i punuar nga arkeologët Milot Berisha dhe Arben Hajdari.

Në të pasqyrohet thesari i pasur i trashëgimisë arkeologjike të Kosovës.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, deputetë, udhëheqës dhe zyrtarë të institucioneve vendore.

Kryeministri z. Albin Kurti ndër të tjera tha “Sot po promovojmë një pjesë tejet të rëndësishme të kësaj pasurie kulturore të shtetit tonë, megjithatë për fat të keq, ky thesar vazhdon të jetë i paplotë dhe ndonëse kanë kaluar 23 vite, një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi”

Ndërsa shtoi që kjo nuk është shkelja e vetme që është bërë “Në kohën kur po zhvillohej procesi për marrjen dhe transportimin e artefakteve nga Prishtina në Beograd, Serbia vazhdonte të shkatërronte pamëshirshëm monumentet tona dhe gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”.

Dhe përfundoi duke treguar që do të kërkojmë drejtësi, “Kërkesa jonë për drejtësi përmes dëmshpërblimit së shpejti do të marrë formë konkrete. Qeveria që unë drejtoj ka vullnetin dhe dijen, kapacitetet dhe vizionin për të mbrojtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore. Pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi është zotimi ynë për mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e balancuar të kishave ortodokse, të cilat besojmë që duhet të jenë të hapura e të qasshme në mënyrë që të shfrytëzohet edhe potenciali turistik i tyre”

Nga MKRS hapjen e kësaj ngjarje e bëri këshilltarja e ministrit, znj. Nora Arapi Krasniqi, ndërsa i pranishëm ishte Ministri i MKRS. Z. Hajrulla Çeku.

Katalogu prezanton koleksionin e pasur arkeologjik të Kosovës, ku paraqiten artefakte nga periudha e parahistorisë, antikës, antikës së vonë dhe periudha mesjetare.

Prapa