“Arti në Shkolla” grumbullon 3000 nxënës

03.07.2024

3000 nxënës të arsimit parauniversitar nga 60 shkolla në nivel vendi kanë ndërvepruar deri më tani aktivisht me artin duke përfituar aftësi në aktivitete të ndryshme kulturore përmes zbatimit të fazës së tretë të programit “Arti në Shkolla”.

Përgjatë kësaj faze, nxënësit kanë marrë pjesë në 250 aktivitete kulturore, duke u familjarizuar me të gjitha fushat e artit dhe kulturës, si dhe duke shprehur talentin e tyre në lexim, teatër, muzikë dhe trashëgimi kulturore.

“Arti në Shkolla” është program i Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe institucionet tjera partnere të kulturës në nivel qendror dhe lokal. Kontribut në realizmin e këtij programi janë duke dhënë edhe organizatat joqeveritare kulturore dhe artistët e pavarur.

Derisa nxënësit shijojnë pushimet verore, MKRS-ja do të vazhdojë punën për të shtrirë edhe më tutje programin “Arti në Shkolla” në arsimin parauniversitar të vendit tonë.

Prapa