Edukimi Shëndetësor dhe Preventiva

3. Mjedis i shëndetshëm dhe i sigurt për të rinjtë
Për të siguruar mjedisin e shëndetshëm dhe të sigurt për rininë kosovare, DiR ka planifikuar tre grupe të masave, të ndarë në kujdesin për arritjen e mjedisit të shëndetshëm të rinisë, dhe në arritjen e një sigurie më të lartë për rininë kosovare dhe mbështetjen e aktiviteteve që ndikojnë në integrim shoqëror e kulturor.

3.1 Promovimi i mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe mirëqenies së të rinjve
Sipas të dhënave nga hulumtimet e ndryshme, promovimi dhe edukimi shëndetësor duhet të vazhdojë të përkrahë promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe mirëqenien e të rinjve.
Sipas hulumtimit të Global Youth Tobaco Survay GYTS 2016, i cili është realizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në Kosovë për të rinjtë e moshës 13-15 vjeç dhe jep të dhëna për vlerësimet e çastit në nivel vendi del se: 8.8% e nxënësve (11.7% e djemve dhe 5.6% e vajzave), kanë përdorë ndonjë produkt të duhanit. 7.1% e nxënësve (10.1% e djemve dhe 4.0%) e vajzave kanë tymosur duhan. Sa i përket duhanpirjes pasive 47.8% e të rinjve ishin ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi dhe 43.7% ishin ekspozuar ndaj tymit të duhanit brenda vendeve të mbyllura publike. Lidhur me qasjen dhe disponueshmërinë e duhanit është gjetur se: 75.6% e duhanpirësve furnizohen duke i blerë në shitore, shitës rruge apo kiosk. Nga duhanpirësit aktualë 68.7% kanë deklaruar se nuk janë penguar gjatë blerjes së duhanit për shkak të moshës. Po ashtu është i lartë numri i studentëve që kanë shprehur dëshirën të lënë duhanin (60.3%), ndërsa 58.9% kanë tentuar ta lënë duhanin. 36.7% e të rinjve janë të ekspozuar ndaj reklamimit të duhanit dhe 6.1% të tyre u janë ofruar cigare falas nga kompanitë e duhanit. Nga pyetjet për ekspozimin ndaj reklamimit të duhanit del se 7 në 10 nxënës kanë vënë re mesazhe antiduhan në media; gati 4 në 10 nxënës kanë vënë re reklama ose promovime të duhanit në pikat e shitjes dhe 1 në 10 nxënës ka diçka në pronësi me llogo nga markat e duhanit. Sipas rezultateve të anketës, 71 për qind e të rinjve nuk pinë duhan dhe ky rezultat është identik me të njëjtën anketë të vitit 2012. Nëntëmbëdhjetë për qind e meshkujve duket se janë duhanpirës të rregullt, ndërsa vetëm shtatë për qind e vajzave pinë rregullisht duhan. Duhanpirja rregullisht mbizotëron midis të rinjve të moshave 24 -29 vjeç, dhe përqindja e joduhanpirësve zvogëlohet me rritjen e moshës, megjithëse përqindja e atyre që pinë duhan me raste është e njëjtë ndërmjet grupmoshave të ndryshme të të rinjve (9 -11 për qind). Zakonet e duhanpirjes janë të lidhura me rezultatet e indeksit të pasurisë, pasi të rinjtë që i përkasin familjeve në gjendje më të mirë ekonomike, kanë prirje më të forta për të pirë duhan. Arsyeja më e përhapur e duhanpirjes duket është “të qenurit i përfshirë” dhe “thyerja e rregullave”. Në bazë të rezultateve të anketimit, 73 për qind e të rinjve nuk konsumojnë alkool dhe rezultatet nuk kanë ndryshuar në gjashtë vitet e fundit. Pesë për qind e të rinjve raportojnë konsumimin e alkoolit të paktën disa herë në javë. Përgjithësisht, konsumimi i alkoolit është i përhapur në 25 për qind të të rinjve, duke përfshirë ata që pinë rregullisht dhe ata që janë konsumues të rrallë. Konsumimi është 33 për qind për meshkujt dhe vetëm 16 për qind për femrat.
Nuk është për t’u habitur që konsumimi i alkoolit gjatë javës rritet me moshën nga 5 deri 17 për qind. Duhanpirja dhe konsumimi i alkoolit në rini është shumë i ndërlidhur. Për më tepër, konsumimi i alkoolit lidhet me indeksin e pasurisë, pasi të rinjtë që i përkasin familjeve në një gjendje të mirë ekonomike priren më tepër për të konsumuar alkool. Të rinjtë në zonat urbane kanë një prirje më të fortë për të pirë, krahasuar me grupin e tyre të bashkëmoshatarëve ruralë. Në bazë të gjetjeve sasiore, konsumimi i alkoolit është i papranueshëm për 60 për qind të të anketuarve. Për më tepër, pranimi pjesërisht i përdorimit të alkoolit është statistikisht i lidhur me gjininë, rezidencën, moshën dhe indeksin e pasurisë së të anketuarve. Profili i të rinjve që konsiderojnë alkoolin më të pranueshëm është meshkuj, që jeton në zona urbane, me arsim të lartë, dhe duke pasur një rezultat të mirë të indeksit të pasurisë.
Nga këto të dhëna bëhet e qartë nevoja për fuqizimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi, lidhur me ndalimin e pirjes së duhanit në vendet publike, vetëdijesimin e të rinjve dhe familjeve lidhur me dëmet që shkakton ekspozimi në tymin e duhanit dhe përkrahjen e projekteve dhe fushatave ndërgjegjësuese lidhur me rëndësinë e kontrollit të reklamimit dhe shitjes së duhanit. Në fund, lidhur me njohurit dhe qëndrimet 77.9% e nxënësve mendojnë e duhani është i dëmshëm për njerëzit që përdorin duhan, kurse 94.3% favorizojnë ndalimin e pirjes së duhanit brenda vendeve publike të mbyllura.
Kur jemi tek shëndeti riprodhues, hulumtimet tregojnë se vetëm 46.2 për qind e të rinjve konfirmojnë se nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale. Natyrisht, personat 25–29 vjeç kanë më shumë përvojë seksuale, krahasuar me të rinjtë në vitet e adoleshencës. Përvoja seksuale është më mbizotëruese tek meshkujt sesa femrat. Për më tepër, aktiviteti seksual lidhet me rezultatin e indeksit të pasurisë, pasi rinia që i korrespondon familjeve në një gjendje më të mirë ekonomike priren të deklarojnë më shumë për një sjellje të tillë.
Kontraceptivët përdoren nga 40 për qind e të rinjve që kanë pasur eksperienca seksuale. Katër për qind e të rinjve nuk janë të informuar mbi këto çështje. Ekziston një lidhje statistikisht shumë e rëndësishme ndërmjet atyre që pinë alkool dhe të rinjve që përdorin kontraceptivë. Për më tepër. ata që janë në rezultatin e indeksit e pasurisë si “të pasur” dhe kanë përfunduar nivele të larta të arsimit janë më të prirur për të përdorur kontraceptivë. Meshkujt janë të mësuar me kontraceptivët, ndërsa rezidenca urbane apo rurale nuk jep ndonjë dallim statistikor lidhur me këtë.

3. Mjedis i shëndetshëm dhe i sigurt për të rinjtë
3.1 Promovimi i mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe mirëqenies së të rinjve

3.1.1 Organizimi i ngjarjeve ndërgjegjësuese për dukuritë negative që cenojnë shëndetin e rinisë
Dukuritë negative që cenojnë shëndetin e rinisë konsiderohen të jenë devijime sociale të cilat më së shpeshti e sulmojnë moshën adoleshente dhe rininë e hershme, përfshirë shoqëritë në tranzicion. Andaj as vendi ynë nuk bën përjashtim nga kjo veti e shëmtuar e shoqërisë kosovare. Me qëllim të parandalimit të përhapjes së këtyre dukurive negative, DiR me ndihmën e Organizatave Rinore dhe partnerëve strategjikë planifikon të organizojë ngjarje ndërgjegjësuese për dukuritë negative që cenojnë shëndetin e rinisë në Kosovë. Ngjarjet e tilla, në formë fushate, përbëjnë TV spotet, TV dhe radio debatet, tryezat e diskutimit në komuna të ndryshme, shpërndarja e materialeve të shtypura dhe prezantimi i tyre në rrjetet sociale dhe mediat elektronike.
3.1.2 Përkrahja e Organizatave Rinore që merren me promovimin e mjedisit të shëndetshëm
Mjedisi i shëndetshëm është një parakusht për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë dhe me mirëqenie, sidomos të rinjve. Përpos familjes si bërthamë e rëndësishme e funksionimit të duhur të sistemit shoqëror, në kohët e sotme një pjesë bukur e madhe e barrës i bie edhe organizatave të shoqërisë civile, sidomos të Organizatave Rinore. Për këtë qëllim DiR do të mbështesë ato dhe nismat e ndryshme që merren me promovimin e mjedisit të shëndetshëm me grante të vogla në baza vjetore. Mbështetja nuk do të kufizohet vetëm në ndërgjegjësim për rëndësinë e të pasurit një mjedis të shëndetshëm, por edhe përkrahjen e të rinjve që marrin pjesë në konferenca, punëtori, trajnime, seminare, kampe, debate të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për çështjet e shëndetësisë për të rinjtë. Këtu përfshihet edhe promovimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve për ruajtjen e shëndetit riprodhues, të drejtat dhe obligimet e tyre.
3.1.3 Përkrahja e Organizatave Rinore që përmes fushatave, trajnimeve, punëtorive, debateve dhe aktiviteteve të tjera promovojnë mënyrën e shëndetshme të jetesës tek të rinjtë, duke përfshirë ushqimin e shëndetshëm, shëndetin mendor, parandalimin e dhunës psikike dhe fizike, përdorimin e substancave të dëmshme, marrjen me aktivitete fizike etj.
Mënyra e shëndetshme e të jetuarit tek të rinjtë, duke përfshirë ushqimin e shëndetshëm, shëndetin mendor, parandalimin e dhunës psikike dhe fizike, përdorimin e substancave të dëmshme si akooli, duhani dhe substancat narkotike, marrjen me aktivitete fizike, rekreative dhe sportive, konsiderohen masa të rëndpsisë së veçantë për një zhvillim të shëndoshë të rinisë. Për këtë qëllim DiR do të përkrahë financiarisht Organizatat Rinore të cilat organizojnë aktivitete ndërgjegjësuese dhe promovuese për mënyrën e shëndetshme të jetesës tek të rinjtë. Me qëllim të bashkërenditjes së veprimeve me institucionet e qeverisjes lokale dhe njëkohësisht edhe të ndërtimit të kapaciteteve të tyre lidhur me ndërmjetësimin me komunitetin rinor, marrësit e granteve do të kushtëzohen të ndërveprojnë me institucionet gjegjëse lokale apo qendrore, varësisht prej natyrës së projekteve.
3.1.4 Promovimi dhe ndërgjegjësimi i rinisë për dukuritë që cenojnë shëndetin
Gjersa në njërën anë Organizatat Rinore përfitojnë nga DiR për këtë qëllim, në anën tjetër vet DiR planifikon të ndërmerr aktivitete promovuese dhe ndërgjegjësuese, të cilën e bën përmes shënimit të ditëve të ndryshme lidhur me shëndetin. Përveç këtyre aktiviteteve që I organizon vet DiR, ndihmë logjistike pritet edhe nga Organizatat Rinore të cilat i kontribojnë promovimit dhe ndërgjegjësimit të rinjve për dukuritë që e cenojnë shëndetin e tyre. Pritet që rol të rëndësishëm në këtë proces ndërgjegjësues dhe promovues të kenë Qendrat Rinore, për arsye të numrit të gjerë të frekuentuesve në aktivitete e tyre. Pjesë e këtyre aktiviteteve ndërgjegjësuese planifikohet të jenë edhe institucionet relevante shëndetësore, të cilat me këshillat dhe rekomandimet e tyre profesionale pritet t’i kontribuojnë parandalimit të dukurive që e cenojnë shëndetin e të rinjve.