Profili

Politikat programore për sport për vitin 2015


Departamenti i Sportit është themeluar në vitin 2000, në bazë të rregullores së UNMIK-ut nr.2000/41 dhe fillimisht ka qenë i udhëhequr nga dy bashkëdrejtues (një ndërkombëtar dhe një vendor). Prej muajit janar të vitit 2002, Departamenti i Sportit me vendimin nr. 2001/19, të autoriteteve të UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës mbi Degën e Ekzekutivit të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, bashkohet me tri (3) departamente të tjera (Kulturë, Rini dhe Çështje Jo-Rezidente) duke formuar në këtë mënyrë Ministrinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jo-Rezidente. Që prej themelimit të Departamentit të Sportit janë bërë hapa të mirë në drejtim të zhvillimit të strukturave organizative në shtyllën qeveritare (themelimi i departamenteve komunale për sport), si edhe riformimit të federatave, shoqatave dhe klubeve të sportit.

Në vazhdimësi ka ardhur duke u forcuar edhe roli dhe ndikimi i pushteteve komunale, duke u krijuar në këtë mënyrë drejtoritë komunale për kulturë, rini dhe sport, kështu që edhe orientimi i punës së Departamentit Qendror të Sportit ka shënuar mbështetje më të madhe për sportin reprezentativ të federatave të sportit.

Departamenti i Sportit ka mbështetur dhe ka ndihmuar zhvillimin e aktiviteteve të shumta sportive, përmes të cilave synon të kontribuojë në organizimin përmbajtësor, zhvillimin e kuadrove, anëtarësimin dhe licensimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare, përfshirjen e të gjithëve në aktivitete sportive, pa dallim kombi, race e përkatësie fetare.

Në këtë drejtim janë shënuar rritje të nivelit të rezultateve, aktiviteteve sportive, zhvillim cilësor dhe funksionalitet i dukshëm.

Në planin e hierarkisë janë përkufizuar raportet, detyrat dhe përgjegjësitë institucionale sipas rregulloreve të mëhershme në fuqi, përderisa, me punën e madhe që është bërë, sot, Departamenti i Sportit prinë në nivel të MKRS-së në planin e kompletimit të normativës ligjore.

Vlenë të përmendim këtu Ligjin e Sportit, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin nëntor të vitit 2003, ndërsa Zyra Ligjore e UNMIK-ut duke bërë disa ndryshime në përmbajtjen e Ligjit në fjalë e ka fuqizuar atë përmes Rregullores Nr. 2004/26 (aprovuar në korrik 2004).

Për të plotësuar kornizën e përmendur ligjore grupi punues i ekspertëve në nivel të Departamentit të Sportit ka hartuar aktet nënligjore (udhëzimet administrative), të cilat pastaj kanë kaluar shqyrtimet e nevojshmë në nivel të Kabinetit të Ministrit, të njëjtat janë nënshkruar/fuqizuar në maj 2005 dhe u janë dhënë drejtorive komunale për sport, federatave të sportit, AOK-ut dhe QMS-së, për të harmonizuar aktet normative në nivelin e tyre subordinues.

Aktivitetet e Departamentit të Sportit, që nga themelimi i tij, kanë konsistuar në përgatitjen, vlerësimin dhe aprovimin e politikave programore të sportit, të cilat kanë të bëjnë me masivizimin e sportit dhe zhvillimin kualitativ të tij.

Politikat e tilla programore janë në evoluim e sipër në raport me nevojat e sportit, planifikimet zhvillimore, për periudha afatshkurta dhe afatmesme, si dhe të përshtatura me gjendjen dhe rrethanat reale ndërsa që realizimi sasior dhe cilësor i tyre është shumë i kushtëzuar dhe i kufizuar nga buxheti i ndarë për Departamentin e Sportit.

Përmes këtyre politikave programore Departamenti i Sportit ka kontribuar në avancimin e sportit të Kosovës në fusha të ndryshme, dhe brenda kapaciteteve shumë të kufizuara buxhetore ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes shumë të vështirë në segmentet specifike të sportit.

Duhet theksuar se nevoja të mëdha janë paraqitur vazhdimisht, mbeten edhe sot e kësaj dite ato për investime në infrastrukturën e sportit, pa të cilën nuk mund të ketë masivizim dhe as zhvillim kualitativ të aktiviteteve të sportit.

Infrastruktura e mbyllur është ajo që më së shumti i mungon sportit të Kosovës, ndërsa përmirësimet në këtë aspekt do të siguronin kushtet elementare për zhvillimin e shumë aktiviteteve sportive dhe sportet e tjera mund ta shfrytëzojnë për ushtrime/përgatitje.

Buxheti i vogël në nivel të Departamentit të Sportit që nga themelimi i tij e deri më sot nuk ka krijuar mundësi për ndërtime të objekteve të reja aq të domosdoshme, dhe si pasojë është dashur të shkohet në renovimin, përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese.

Vlenë të përmendim këtu se, përkundër buxhetit të vogël Departamenti i Sportit i kushton një kujdes të veçantë infrastrukturës së sportit, duke ndarë rreth 50% të mjeteve të buxhetit total nga gjithësej 8 politika programore sa ka të aprovuara dhe në realizim.

Për të ilustruar gjendjen ekzistuese të infrastrukturës së sportit duhet të marrim parasysh:

  • pasojat e luftës në infrastrukturën e përgjithshme por edhe në atë të sportit;
  • të analizojmë faktin se 25-30 vitet e fundit nuk është investuar fare në infrastrukturën e re të sportit në Kosovë;
  • gjatë fazës së rindërtimit të vendit pas luftës infrastruktura e sportit fare nuk është përfshirë dhe as trajtuar në këtë aspekt;
  • situatën shumë të vështirë ekonomike në vend;
  • nevojat reale në terren, prej 30 komunave të Kosovës vetëm 8 prej tyre kanë palestra të mbyllura të sportit, edhe ato nuk i plotësojnë standardet për zhvillimin e garave ndërkombëtare; ose marrim shembull futbollin: me mbi 150 klube, garohet në 4 liga, në përdorim ka rreth 30 fusha futbolli, ndërsa, vetëm në 8 prej tyre mund të zhvillohen aktivitetet sportive që plotësojnë standardet vendore;
  • fushat e tjera nuk plotësojnë as kriteret themelore, e të mos flasim për standardet evropiane e botërore.


Kjo gjendje e vështirëson në masë të madhe ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, sidomos në fazën aktuale, prandaj nga këtu del edhe një apel shtesë drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të vendit që më në fund edhe sportin ta trajtojnë si veprimtari të rëndësishme dhe ta fusin në grupin e ngushtë të prioriteteve të cilave duhet kushtuar kujdes shumë më i madh.

KOSOVO IN UNESCO