Miratohet Projektligji për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor

30.12.2016

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.

Ministria e Kulturës e vlerëson këtë si një hap të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit rajonal ndërmjet institucioneve rinore .

Kjo marrëveshje do të ndikojë në zbatimin e programeve të përbashkëta bazuar në vlerat e bashkëjetesës, tolerancës dhe respektit të të drejtave të njeriut dhe në koordinimin e bashkëpunimit në mes të të rinjve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, është bazë për bashkëpunim në të ardhmen duke përfshirë edhe vlerat e diversitetit me fokus në parimet e qeverisjes demokratike, zhvillimin e arsimit dhe inovacionit.

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor funksionon si mekanizëm i pavarur institucional për bashkëpunim rinor i cili u themelua në marrëveshjen e nënshkruar më 4 korrik 2016 nga vendet e sipërpërmendura.

Prapa