Prishtina fituese e Ligës Unike Femrat

03.04.2024

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është luajtur finalja e femrave në basketboll në kuadër të Ligës Unike përballë dy skuadrave më të mira në Kosovë e Shqipëri, KBF Prishtina dhe KBF Bashkimi. Trofeun e Final 4 Liga Unike Femrat e fitoi Prishtina, duke i dhuruar publikut lojë fantastike.

Këtë super ndeshje e ndoqi nga afër edhe zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, e cila së bashku me kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu i dorëzuan trofeun e kampionit kapitenes Elektra Zykaj.

Çmimi MVP i takoi Asianae Johnson që e mbylli ndeshjen me 27 pikë e dhjetë kërcime, çmim ku që u nda nga sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Klodeta Krasniqi, shefe e kabinetit në MKRS.

Ndërsa para fillimit të ndeshjes për vendin e tretë ndërmjet Tiranës dhe Penzës, Federata e Basketbollit e Kosovës ka nderuar me mirënjohje, të ndjerin Isuf Lumi, i cili ishte kryetar i parë i FBK-së dhe sekretar i përgjithshëm.

Mirënjohjen e kanë ndarë ministri Hajrulla Çeku dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, derisa në emër të familjes e ka pranuar, Albana Lumi, vajza e të ndjerit Isuf Lumi.

Finalen e ndeshjes mes Prishtinës dhe Bashkimit e ndoqën edhe shumë fëmijë që janë pjesë e programit “Sporti në shkolla”.

Prapa