Laureati i “Niketë Dardanit”, Zeqirja Ballata: Shoqëria jonë ka nevojë t’i ketë pranë krijuesit në fushën e muzikës

28.12.2017

Në një ceremoni të organizuar në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u bë ndarja e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimeve vjetore për vepra muzikore për vitin 2016.

Ministri Kujtim Gashi u shpreh se ndarja e çmimeve për krijuesit në fushën e muzikës bëhet me qëllim që të nxitet promovimi i vlerave dhe të rritet krijimtaria. Ministri i përgëzoi laureatët për punën e tyre dhe përmes saj avancimin e muzikës artistike dhe fuqizimit të saj.

Ministri theksoi se “si ministri jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi njerëz të tillë të cilët punojnë, që vazhdimisht krijojnë dhe si rezultat ministria natyrisht që organizon edhe momente të këtilla të veçanta për ndarjen e çmimeve dhe shpërblimeve që juria ka përcaktuar”, duke e vlerësuar edhe punën e jurisë e cila ka bërë vlerësimin e veprave që kanë konkurruar.

Në emër të jurisë e cila ka qenë në përbërje të Valton Beqirit, Baki Jasharit e Dinor Zymberajt, foli kompozitori Beqiri. Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, iu nda kompozitorit Zeqirja Ballata dhe në bazë të Rregullores për ndarjen e çmimeve për muzikë merr edhe shpërblimin finanicare prej pesë mijë euro.

Çmimi për veprat vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Përtej luftës e paqes”, në vlerë financiare prej katër mijë eurove. Çmimi për veprat orkestrale-simofonike dhe koncertale iu nda kompozitores Dafina Zeqiri për veprën “Koncert për piano dhe orkestër” në një vlerë tre mijë euro. Çmimi për veprën kamertale iu nda kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “String Quartet Nr. 4” dhe u shpërblye me dy mijë euro. Çmimi për veprat korale iu nda kompozitorit Rafet Rudi për veprën “Deti i varreve të hapura” për kitarë dhe kor dhe bashkë me çmimin edhe shpërblimin financiar në vlerë të një mijë eurove. Ndërkaq, çmimi për veprat solistike dhe duo nuk do të ndahet pasi që në këtë kategori nuk pati vepra konkurruese të kësaj gjinie.

Laureati Ballata e falënderoi ministrin Gashi, MKRS-në dhe Jurinë për vlerësimin dhe për çmimin. “E ndiej veten shumë mirë, me ndjeja shumë të mira që jemi këtu së bashku me kolegët e mi më të ri me të cilët edhe kemi punuar bashkë me vite të tëra.”, tha kompozitori duke theksuar se shoqëria jonë ka nevojë t’i ketë pranë krijuesit në fushën e muzikës.

Fituesit e çmimeve tjera vlerësimin që u është bërë për punën e tyre e cilësuan si një mirënjohje institucionale dhe një inkurajim për të punuar edhe më shumë në krijimtarinë muzikore.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO