Kaçaniku bëhet me stadium e palestër sportive

07.11.2017

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, përuruan sot stadiumin e qytetit të Kaçanikut “Besnik Begunca”, investim i përbashkët i MKRS-së dhe Komunës së Kaçanikut, në vlerën e përgjithshme financiare rreth 320 mijë euro, ndërkaq ministria ka investuar rreth 220 mijë euro në këtë projekt kapital sportiv.

Sipas kontratës së paraparë për projektin në fjalë konform memorandumit, janë realizuar punime në rregullimin e zhveshtoreve, fushëlojës, rrethojës dhe elementeve tjera përcjellëse.

Ministri Kujtim Gashi, u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur për përfundimin e stadiumit të cilin përuruan sot dhe ky projekt kapital është në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës sportive i cili është edhe një parakusht për zhvillimin dhe avancimin e sportit, në këtë rast të futbollit.

“Jemi dakorduar që do të vazhdojmë edhe me fazën e dytë të ndërtimit të këtij stadiumi e që do të rregullohen edhe tribunat”, tha ministri Gashi, duke shtuar se është i përkushtuar që të punojë maksimalisht për të rritur dinamikën e investimeve dhe të realizimit të punëve në kuadër të plotësimit dhe modernizimit të infrastrukturës sportive në vendin tonë.
“Unë e kam marrë një porosi qysh në fillim të mandatit nga kryetari i Kuvendit Veseli për ta bërë çdo qytet me stadium, prandaj po mundohemi që në kuadër të objektivave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të kemi investime të stadiumeve në çdo qytet”, tha ministri.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e vlerësoi finalizimin e këtij projekti të rëndësishëm i cili është në interes të sportistëve të komunës së Kaçanikut dhe do të jetë në shfrytëzim të zhvillimit të aktiviteteve sportive për futbollistë.

“Në katër vitet e ardhshme do të investojmë rreth 100 milionë euro në stadiume”, tha Veseli. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit tha se stadiumi kombëtar do të ndërtohet në Drenas dhe shumë shpejtë do të finalizohen punimet edhe në stadiumet e Mitrovicës e Prishtinës.

Në kuadër të vizitës në Komunën e Kaçanikut, ministri Gashi i shoqëruar nga kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, inspektoi zhvillimin e punimeve në Palestrën e Sportit në këtë qytet. Faza e parë e punimeve është finalizuar në këtë projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar rreth 1.3 milion euro. Së shpejti pritet të përfundojnë edhe procedurat për fillimin e fazës së dytë të këtij projekti dhe ku priten të investohen edhe rreth 900 mijë euro.

Po ashtu, ministri qëndroi edhe në Komunë, ku bashkëbisedoi me kryetarin Ilazi për një varg çështjesh të interesit të përbashkët dhe vazhdimësinë e përkrahjes së projekteve të Komunës së Kaçanikut.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO