Përfundon DokuFesti

11.08.2024

Mbrëmë përfundoi edicioni i 23-të i DokuFest, festivali që transformon Prizrenin në kryeqytetin e filmit dokumentar dhe të shkurtër.

Kurimi i të gjitha kategorive u realizua me kujdes të jashtëzakonshëm, duke përmbushur pritshmëritë e publikut dhe duke nxjerrë në pah kreativitetin dhe diversitetin e zërave artistikë nga e gjithë bota. Edicioni i këtij viti dëshmoi edhe një herë përkushtimin ndaj gjeneratës së re, duke i inkurajuar të eksplorojnë artin dhe kreativitetin e tyre përmes kinemasë dhe duke mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të kinemasë në vend si pasuri të çmuar për brezat që vijnë.

Me shfaqjen e filmave të punëtorive të DokuKids dhe të filmit \"Rrugës\" nga Samir Karahoda, Dokufest mbylli edhe këtë vit programin me ndarjen e çmimeve për më të mirët të vlerësuar në tetë kategori. Ministri Çeku ndau çmimin për kategorinë Kombëtare, kategori që nderon kontributin e rëndësishëm të regjisorëve dhe prodhuesve tanë, i cili këtë vit u nda për filmin \"Like a Sick Yellow\" nga regjisorja Norika Sefa.

Përgëzojmë të gjithë fituesit dhe shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e këtij edicioni të DokuFest!

Prapa