Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktores Shirine Morina

15.04.2024

E nderuara familje Morina,

Me pikëllim thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurës tuaj, aktores sonë, Shirine Morina.

Komuniteti artistik dhe artdashësit e teatrit dhe filmit humbën një nga figurat më të shquara të skenës artistike në vend, aktoren Shirine Morina, e cila shënoi një epokë të rëndësishme në historinë e teatrit dhe kinematografisë.

Ajo do të mbahet mend si një artiste e madhe për rolet e saja të shumta në teatër, film, seriale, radiodrama e komedi.

Shirine Morina i takon brezit të artë që kishin kultivuar vlerat e artit skenik dhe do të mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm të artistëve.

Ngushëllimet të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit artistik!

Me respekt,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Prapa