Katër memorandume në mbështetje për parasportistët

22.02.2024

Nënshkruhen memorandumet e bashkëpunimit për mbështetjen dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive për personat me aftësi të kufizuara.

Zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani sot ka nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit me presidenten e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, presidenten e Olimpiadës Speciale të Kosovës, Igballe Asllani-Potera dhe kryetarin e Federatës së Sporteve për të Verbër të Kosovës, Rinor Ymeri.

Me Komitetin Paralimpik të Kosovës u nënshkruan dy memorandume, i pari për zhvillimin e aktiviteteve vjetore të tij në kuadër të sportit për personat me aftësi të kufizuara fizike, ndërsa i dyti për fuqizimin e federatave parasportive të KPK-së, përkatësisht të Federatës së Para Boccias të Kosovës, Federatës së Basketbollit me Karroca të Kosovës dhe Federatës së Paravolejbollit të Kosovës.

Krahas mbështetjes së vazhdueshme për personat me aftësi të kufizuara fizike në sport, kësaj radhe për herë të parë është mbështetur me memorandum vjetor edhe Olimpiada Speciale e Kosovës, e cila njihet me Ligj të Sportit dhe angazhohet për zhvillimin e aktiviteteve sportive tek personat me aftësi të kufizuara intelektuale.

Memorandumet janë nënshkruar me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve të këtyre organizatave në kuadër të planit vjetor të tyre përgjatë vitit 2024, duke përfshirë këtu aktivitetet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Totali i vlerës financiare të mbështetur është 400 mijë euro, që është shuma më e lartë e dhënë ndonjëherë në formë të memorandumeve vjetore për organizatat sportive të personave me aftësi të kufizuara.

Prapa