Fillojnë Lojërat Parasportive të Kosovës

Një ngjarje që feston arritjet e para-atletëve, promovon gjithëpërfshirjen dhe dialogun ndërkulturor përmes sportit, Lojërat Parasportive të Kosovës, po zhvillohen sot dhe do të vazhdojnë edhe nesër në Akademinë e Kosovës për Sigurinë Publike në Vushtrri.
Lojërat e sotme u ndoqën nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësministrja e sportit, Daulina Osmani.
Lojërat Parasportive po organizohen nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, federatat anëtare dhe shoqatat sportive.
Kjo ngjarje, përveç sportistëve lokalë, ka mbledhur në Kosovë rreth 400 para-atletë nga vendet e rajonit, si nga: Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, të cilët përfaqësojnë 15 ekipe sportive nga 10 federata dhe shoqata sportive.