Gjashtë ekspozita që mund t’i vizitoni në vikend

26.11.2022

Në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita personale e Rexhep Selimit “Në garë me botën gri”. Aty paraqiten 110 piktura që Selimi i ka realizuar në vitet e fundit.

Në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës mund të shihni ekspozitën “Ukraina në 10 orë” nga Ben Blushi. Autori përmes fotografive tregon eksperiencën e tij gjatë qëndrimit prej 10 orësh në Ukrainë, duke vënë në pah zonat e bombarduara të Irpinit dhe Borodyankës si dhe Kievin, qytetin që jeton në paqe dhe njëkohësisht në panik.

Në ambientet e Hotel Grand-it në Prishtinë, është e hapur ekspozita “Më lër brenda, më lër jashtë” nga Arbër Selmani dhe Arlinda Hajrullahu bashkë-kuratore. Kjo ekspozitë u kushtohet personave me aftësi të kufizuara dhe shfaq vështirësitë dhe padrejtësi që kjo kategori e shoqërisë i ka në përditshmëri.

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës vazhdon të jetë e hapur ekspozita “Monumenti i Lules së Parë”, nga Astrit Ismaili, kuruar nga Donjetë Murati. “Monumenti i Lules së Parë” prezanton punët e Astrit Ismailit që ndërlidhën me transformimin.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës mund të shihni ekspozitën “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” e artistit Jeton Gusia kuruar nga Blerta Hoçia. Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Në Muzeun e Burgut të Prishtinës gjatë ditës së shtunë mund të vizitoni ekspozitën “Burgu i Idealit”, e cila sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptarë në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës.

Prapa