U mbajt manifestimi tradicional “Takimet e Dom Mikelit”

19.09.2022

Ndër aktivitetet e rëndësishme tradicionale kulturore që organizohen në Kosovë është manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” që organizohet në Stubëll të Vitisë.

Këtë vit temë kryesore e trajtesave akademike, shkencore e kulturore ishte shpirti arbëresh, si një vlerë identitare që na bashkon të gjithëve. Gjithashtu në vazhdimësi të manifestimit u mbajt edhe ora letrare “Agim Ramadani”.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shumta nga jeta politike, shkencore, kulturore e fetare. Ndër ta, ministri Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Ipeshkvi Dodë Gjergji, studiues nga Italia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Me kumtesat shkencore, në manifestim folën: Domenico Morelli nga organizata “Hora e Arbëreshëvet” nga Italia; prof. dr. Lekë Sokoli nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës; prof. dr. Asllan Hamiti nga Universiteti “Shën Kirili e Metodi”, Shkup; prof. asoc. dr. Erenestina Gjergji-Halili nga Universiteti i Tiranës dhe prof. asoc. dr. Merxhan Avdyli nga Universiteti “Kadri Zeka”, Gjilan.

Ndërsa ora letrare u hap nga poeti Agim Gjakova, për të vazhduar me ligjëruesit dhe poetët tjerë që pasuruan manifestimin. Po ashtu me dy këngë arbëreshe para publikut performoi këngëtarja Teuta Pango.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera, ministri Çeku vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Dom Mikelit, emrin e të cilit e mban manifestimi.

“Këto takime, ky manifestim, është një konfirmim që ne bashkërisht po punojmë për të kultivuar identitetin tonë shqiptar. Ne si institucione në bashkëpunim me të gjithë, do të vazhdojmë të mbështesim organizime si këto që kultivojnë dhe dokumentojnë kontributin dhe jetën e figurave tona më të ndritshme të kombit”, u shpreh ministri.

Kjo ngjarje që mbahet që prej vitit 1990, organizohet nga Shoqata Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”.

Prapa