Koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës

11.09.2022

Publiku artdashës mbrëmë shijoi koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës, me të cilin u hap sezoni i ri i performancave. Në koncertin e mbrëmshëm në kishën katolike \"Shën Ndou\" në Prishtinë mori pjesë ministri i kulturës, Hajrulla Çeku po ashtu ambasadorja greke në Kosovë, Heleni Vakali.

Në vazhdim të fuqizimit të bashkëpunimit kulturor me Greqinë, koncerti u zhvillua në drejtimin e mjeshtres greke Mary Konstantinidou dhe dirigjentit kosovar Hajrullah Syla, ndërsa u interpretuan vepra premierë të shek. XX dhe XXI nga kompozitorë norvegjez, grek, amerikan e shqiptar. Performancë dhe program i mrekullueshëm.

Për Korin ky sezon artistik është tejet i veçantë pasi përveç një serie koncertesh të rralla, shënon edhe 20-vjetorin e themelimit. Së këndejmi, Kori do të bashkëpunojë me emra të njohur të skenës së muzikës klasike duke filluar qysh në tetor me bashkëpunimin me dirigjentin dhe kompozitorin letonez Ēriks Ešenvalds, një nga emrat më të kërkuar të muzikës korale në botë.

Sezoni 2022/2023 përveç koncerteve në Prishtinë, përmes programit “Filharmonia në lëvizje” parasheh edhe një numër koncertesh në qendra të tjera të Kosovës si Prizren, Suharekë, Istog etj, si dhe jashtë Kosovës në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Greqi, Turqi dhe Portugali.

Përgëzime për Filharmoninë e Kosovës, për punën profesionale dhe angazhimin për të sjellë perfomanca dhe koncerte kaq të veçanta për publikun.

Prapa