Bashkëpunim tre palësh për Parkun arkeologjik Ulpiana

28.07.2022

Bashkëpunim ndër-institucional dhe ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore për zhvillimin e kërkimeve arkeologjike shkencore në Lokalitetin arkeologjik Ulpiana-Justiniana Secunda.

Duke u bazuar në përvojën e bashkëpunimit të frytshëm shkencor në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore arkeologjike, respektivisht Lokalitetin arkeologjik Ulpiana-Justiniana Secunda, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universiteti i Prishtinës dhe Ecole Normale Superieure konfirmojnë përkushtimin për vazhdim të këtij bashkëpunimi.

Në mjediset e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, u nënshkrua vazhdimi i marrëveshjes fillestare të nënshkruar në vitin 2017, ndërmjet MKRS, Universitetit të Prishtinës dhe Ecole Normale Superiere, për Projektin e kërkimeve arkeologjike në Lokalitetin Arkeologjik të Ulpianës.

Ky bashkëpunim krijon kushtet për të siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike. Përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

Në vijim të partneritetit me Universitetin e Prishtinës dhe Institutet shkencore të Republikës së Francës, gjatë këtij viti fillon zbatimi i projektit të përbashkët i cili financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian.

Prapa