Homazhe dhe mbledhje komemorative për producenten e ndjerë, Vjosa Berisha

30.06.2022

Sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës janë mbajtur homazhe për regjisoren dhe producenten e ndjerë, Vjosa Berisha.

Në këtë ceremoni lamtumirëse morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetet, Mimoza Kusari Lila, Saranda Bogujevci, pjesëtarë të komunitetit artistik, personalitete politike, qytetarë, familjar dhe miq.

Kryeministri Kurti në deklarimin para mediave pas homazheve tha që Prishtina si kryeqytet i Republikës, artdashësit dhe mbarë qytetarët e vendit tonë, kanë mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj, por gjithashtu edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit të Kosovës.

Pas homazheve u mbajt edhe mbledhja komemorative në kujtim dhe nderim të saj. Vjosën e përkujtuan kolegët me të cilët bashkëpunoi, regjisorët, aktorët dhe personalitete nga jeta publike e politike e vendit tonë.

Para të pranishmëve foli bashkëshorti Fatos Berisha. Ai falënderoi institucionet, kolegët e saj e shumë miq, të cilët i qëndruan afër deri në momentin e fundit të jetës së saj. Ndërsa në emër të Ministrisë së Kulturës, fjalën e mori këshilltarja e ministrit Çeku, Gentiana Pallaska e cila ndër të tjera tha që komuniteti artistik dhe shoqëria jonë ka humbur një prej personaliteteve më të rëndësishme, por vepra e saj do të kujtohet përherë.

Prapa