Shpërblehen më të mirët në muzikë për vitin 2021

21.06.2022

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, ndamë çmimet vjetore në fushën e muzikës për vitin 2021.

Ceremonia u organizua në Kino Armata ndërsa filloi me performancën e mrekullueshme të Orkestrës Simfonike të Gjakovës, dirigjuar nga profesor Pëllumb Vula.

Ngjarja vazhdoi me ndarjen e çmimeve. Çmimi për vepër orkestrale- simfonike dhe koncentrale u nda për veprën “Constellation” me autor Drinor Zymberi dhe veprën “Viola Concerto” me autor Kreshnik Aliçkaj. Çmimi për vepër kamertale këtë vit iu nda, Fjolla Gashit për veprën “Mystral” dhe Ersan Januzit për veprën “Chaos”.

Ndërsa çmimi për vepër solistike dhe për duo iu nda dy kandidatëve, veprës “Fantasy” të autorit Mendi Mengjiqi dhe veprës “Tah” nga autori Bardh Dubovci. Po ashtu vepra “Mars” e Mendi Mengjiqi u shpërbly me çmimin për vepër korale acapella, ndërsa për vepër korale me shoqërim instrumental çmimin e mori autori Hajrullah Syla për veprën “The Matamorphosis”.

Anëtarë të jurisë profesionale ishin: Rafet Rudi, Vaso S. Tole dhe Ermir Bejo.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi, deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, Arjeta Rexhepi, Arjeta Fejza, muzicientë, profesorë e artdashës.

Prapa