Kryeministri Kurti: Është obligim i yni ta ruajmë kompleksin memorial “Adem Jashari”

22.01.2022

Sot në 24 vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministra, deputetë dhe drejtues të institucioneve të trashëgimisë kulturore bënë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Poashtu panë nga afër ndërhyrjet emergjente që po bëhen në Kompleksin Memorial \"Adem Jashari\", përkatësisht në shtëpitë e Hamit dhe Salë Jasharit.

Këto ndërhyrje po bëhen si masë parandaluese e shkatërrimit të mëtejmë të këtyre objekteve që ndodhen nën rrezik.

“Sot janë bërë 24 vjet prej kur forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë ia mësynë gjatë luftës çlirimtare për herë të parë kullës së Jasharajve. Ne e kemi obligim institucional, kombëtar e shoqëror që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës e kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht edhe të dhimbshme”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërsa, Ministri Çeku, në lidhje me ndërhyrjet në kullën e Hamit e Salë Jasharit dhe në tërë Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, tregoi se paralelisht po punohet në hartimin e detyrës projektuese që do t'i paraprijë konkursit ndërkombëtar për master planin e Kompleksit Memorial.

Prapa