Akademi përkujtimore në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

17.01.2022

Në 40 – vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Qeveria e Republikës së Kosovës organizoi Akademi Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore, znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe drejtues e përfaqësues tjerë të institucioneve dhe përfaqësues të familjeve të heronjve.

Si legalë ashtu edhe ilegalë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, nuk e ndalën veprimtarinë kombëtare e shoqërore për bashkim organizatash, për çlirim vendi, për liri populli, për drejtësi e mirëqenie e përparim të të gjithëve, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Kudo dhe çdoherë kritikuan e kundërshtuan diskriminimin e shfrytëzimin, mobilizuan qytetarët dhe bashkatdhetarët, për përpjekje të përbashkëta për punë e angazhim e organizim për liri, shtoi ai.

Duke folur për veprimtarinë e tyre, kryeministri theksoi se Jusufi, Kadriu e Bardhoshi i aktivizonin dhe i bashkonin punëtorët, studentët, artistët, burrat e gratë, të rinjtë e të moshuarit, sepse ata besonin në popull, besonin në popullin e tyre nga i cili vinin për të mos u shkëputur kurrë prej tij.

Në këtë akademi, të organizuar në Sallën e kuqe, të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, foli edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu si dhe familjarët e tre veprimtarëve.

Ndërsa kantautori Shpat Deda, dhe kuarteti i harqeve të udhëhequr dhe aranzhuar nga Visar Kuçi, interpretuan këngët e Jusuf Gërvallës: “Kënga e Bilbilit” dhe “Do të kthehem nënë”.

Prapa