Majlinda Kelmendi, xhudistja jonë e artë mbyll karrierën si sportiste aktive për të vazhduar atë si trajnere

06.12.2021

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.

Në Institutin e Historisë \"Ali Hadri\" në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq znj. Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.

Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë.

Presidentja Osmani, shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen Majlinda Kelmendi dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica” i cili u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi.

“Ëndrrën e nisur prej moshës 8 vjeçe, Majlinda e përmbushi duke fituar çdo titull. Ajo nuk u josh që të vesh uniformën e ndonjë shteti tjetër por luftoi për ngjyrat e shtetit të Kosovës”, theksoi ndër të tjera presidentja.

Kurse ministri Hajrulla Çeku, tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme për të ardhmen e sportit të xhudos në vendin tonë sepse Majlinda po merr një përgjegjësi të re, atë të trajneres përkrah trajnerit të saj që solli shumë suksese ndër vite, Driton Kukës.

Ministri po ashtu shtoi se Kosova ka arritur suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare nëpërmjet xhudisteve tona dhe këtë sukses e filloi xhudistja jonë e artë Majlinda Kelmendi, e cila dëshmoi se me përkushtim dhe punë çdo gjë është e mundur.

“Majlinda Kelmendi me arritjet e saja është shndërruar në ikonën e suksesit kosovar, dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë, duke i kaluar të gjitha vështirësitë dhe sfidat. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë, se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri suksesi është i pashmangshëm”, u shpreh mes tjerash ministri, duke theksuar se Majlinda po mbyll karrierën e saj si sportiste aktive, por që për sukseset e saj në rrugën e re do të dëgjojmë gjithmonë.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, tha se 20 vite angazhim, mund, djersë e lëndime, janë kurorëzuar me fitoret dhe sukseset e Majlindës, duke e bërë që të gjithë të na respektojnë dhe nderojnë shtetin dhe simbolet tona edhe ku nuk na kanë pasur dëshirë.

Kurse trajneri i Majlindës, Driton Kuka, foli për përvojën dhe ndjenjat që ka kaluar së bashku me Majlindën. “Më krenove mua, krenove familjen, krenove një Komb Majlindë. Kënaqësi kur Majlinda ka pushtuar Rusinë, Brazilin dhe vende tjera që nuk e kanë pranuar realitetin e quajtur Kosovë. Të jam mirënjohës deri në frymën e fundit Majlindë”, u shpreh Driton Kuka.

Ndërsa, Majlinda Kelmendi u shpreh se tani e tutje dijen dhe përvojën e saj do ta përcjell tek gjeneratat e reja, pas pensionimit si sportiste aktive. Ajo falënderoi trajnerin dhe ekipin “Një falënderim shumë të madh për vendin tim, për popullin tim, që keni qenë frymëzimi im. Ka qenë nder dhe privilegj shumë i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën”, tha ajo mes lotësh.

Faleminderit kampione!

Prapa