Nis edicioni i dytë i festivalit të filmit për personat me nevoja të veçanta

01.12.2021

Filloi edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Art Without Limit” që u dedikohet personave me aftësi të kufizuar.

Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë festivali në ambientet e Kino Armata dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqen 50 filma vendorë dhe ndërkombëtarë të zhanreve të ndryshme të cilët kanë qenë pjesë e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare.

Përmes filmave do të shpalosen ngjarje e histori inspiruese që kanë për synim ngritjen e vetëdijes shoqërore për sfidat të cilat i përjetojnë në përditshmëri personat me aftësi të kufizuar, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë shpirtëror.

Festivali “Art Without Limit” është i vetmi në Ballkan i këtij formati dhe në kuadër të tij do të ketë edhe ekspozita, performanca muzikore e diskutime për filmat, problematikat, dhe rolin e integrimit të personave me aftësi të kufizuar në shoqëri.

Në hapje të festivalit mori pjesë edhe zëvendësministri i MKRS Sejnur Veshall, i cili në fjalën e tij, në emër të MKRS-së përgëzoi organizatorët që përmes kulturës dhe artit po pasqyrojnë atë se si ndjehen dhe jetojnë personat me aftësi të kufizuara.

Prapa