MKRS bashkon forcat me UNDP-në për restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në Janjevë

24.11.2021

Përmirësimi i cilësisë së jetës së komuniteteve që jetojnë në lokacionet të cilat nuk kanë qasje të lehtë në zonat urbane lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën e kulturës së tyre, trashëgimisë së ndërtuar dhe peizazheve. Konservimi i këtyre lokaliteteve krijon një frymë që lidh breza, përfshirë diasporën, të cilët e përforcojnë ndjenjën e përkatësisë. Por këto lokalitet unike dhe vlerat e tyre janë jashtëzakonisht të brishta dhe duhen mbrojtur në mënyrë sistematike.

Qyteti i Janjevës është një vendbanim i vjetër i Kosovës i cili po përballet me humbje të trashëgimisë kulturore bashkë me problemet socio-ekonomike dhe zvogëlimin e popullsisë.

Për të adresuar këto sfida, në kuadër të Marreveshjes Financiare për Fondet IPA 2020 ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është përfshirë edhe fusha e Trashëgimisë Kulturore. Këtu përfshihet zbatimi i punimeve të ruajtjes dhe forcimit të infrastrukturës turistike të objekteve të trashëgimisë, veçanërisht përmes investimeve në infrastrukturën e turizmit, asistencës për zhvillimin institucional të turizmit dhe asistencës profesionale për investime që do të rrisin ofertën e produkteve të turizmit.

Mbështetja për Turizmin dhe Trashëgiminë Kulturore, në veçanti për projektin e Janjevës, zbatohet me menaxhim indirekt me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Në këtë drejtim, sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi me UNDP-në në Kosovë për mbrojtjen e trashëgiminë kulturore të Janjevës, për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve dhe promovimin e turizmit kulturor.

Restaurimi do të përfshijë ndërhyrjen fizike në 13 shtëpi të zgjedhura në qendrën historike të Janjevës dhe përpilimin e një oferte kulturore që do t’ kontribojë ringjalljes socio-ekonomike të Janjevës.

Ministri Hajrulla Çeku vuri në pah rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, si potencial për zhvillim socio-ekonomik: \"Mbrojtja e trashëgimisë kulturore si vlerë e përbashkët e cila kontribon në forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit tonë, duhet të trajtohet si proces kompleks i cili fillon me mbrojtje ligjore, vlerësim profesional dhe ndërhyrje fizike. Ky proces kompleks vazhdon me ngritje të kapaciteteve njerëzore si dhe ngritje të vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë, deri te mekanizmat e menaxhimit efikas që do të sigurojnë ringjalljen socio-ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal. Në këtë drejtim jemi të kënaqur që projekti për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Janjevës i përfshin të gjithë komponentët\".

\"Sot po e vazhdojmë partneritetin me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mbështetje të ringjalljes socio-ekonomike të Janjevës. Puna jonë e përbashkët, e e cila do të financohet edhe nga BE-ja,do të promovojë trashëgiminë kulturore fizike dhe shpirtërore si urë lidhëse për kohezionin social përmes angazhimit të komunitetit. Ne synojmë të krijojmë një mjedis për gratë dhe të rinjtë për të zhvilluar aftësi dhe për të fituar përvojë pune që çon në fuqizimin ekonomik. Ne e vlerësojmë shumë partneritetin me Ministrinë, partneritet ky që po forcohet përmes kësaj marrëveshjeje financimi, dhe do të punojmë së bashku me të gjithë partnerët për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore të Janjevës. Me kete rast e falënderoj edhe komunën e Lipjanit për bashkëpunimin e shkëlqyer\", tha Maria Suokko në ceremoninë e nënshkrimit.

Mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për këtë projekt është në vlerë 1.4 milionë euro, kurse zbatimi është planifikuar për vitet 2021-2024.

Prapa