1 vit pa Adem Mikullovcin

15.09.2021

Sot u bënë një vit që shoqërisë tonë i mungon një prej figurave më të veçanta të artit dhe kulturës.

Adem Mikullovci ishte një person me plot pozitivitet dhe këtë energji e përcolli tek të gjithë deri në fund të jetës së tij.

Kontributi që ka dhënë për artin dhe popullin e Kosovës do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë dhe të brezave pas nesh.

Në karrierën e tij luajti në shumë shfaqje dhe ishte regjisorë i shumë filmave.

Ndër filmat më të fuqishëm për nga përmbajtja dhe tema që trajtonte, është filmi ‘Një pallto për babain tim në burg’, i realizuar nën regjinë e Mikullovcit. Ky film, më mirë se çdo gjë tjetër, shpalos tmerrin që shqiptarët përjetuan nga regjimi serb. Filmi është realizuar në vitet e 90′ në mënyrë të fshehur.

Përmes filmave, dramave, serialeve ai ka hedhur dritë dhe ka treguar revoltën e kundërshtimin për ngjarje të shumta në shoqërinë tonë.

Këtë e bëri edhe më vonë me angazhimin e tij politik.

Veprimtaria e Adem Mikullovcit do të mbetet e pavdekshme, ndërsa do ta kujtojmë gjithmonë me shumë mall.

Prapa