Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për Rini

10.09.2021

Sot u mbajt takimi i parë i Komisionit Shtetëror për Rini, i cili për herë të parë në Kosovë është themeluar nga Qeveria e Kosovës si një mekanizëm koordinues ndërinstitucional dhe përgjegjës për zhvillimin e dokumenteve strategjike të Qeverisë për fushën e rinisë.

Komisioni kryesohet nga zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani. Në takimin e parë mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili themelimin e Komisionit Shtetëror për Rini e konsideroi si një hap të rëndësishëm për avancimin e rinisë në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti ndër të tjera u shpreh se “duhet një qasje gjithëpërfshirëse drejt rinisë që i ndihmojnë të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë, të gjejnë vendin dhe misionin e tyre në shoqëri, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm por edhe kontribues në shoqëri civile e treg të punës.”

Më tutje Kryeministri ju tha anëtarëve të komisionit: “Unë pres që përveç fushave të bashkëpunimit, të bëhet edhe një ndarje e qartë e roleve dhe përgjegjësive. Në ministritë tuaja ju keni për detyrë t’i jepni vëmendje të veçantë vendimeve që ndikojnë tek të rinjtë si dhe t’i shtyni përpara politikat që përcaktohen si prioritete.”

Ndërsa në cilësinë e kryesueses së Komisionit Shtetëror për Rini, zëvendësministrja Osmani shprehu përkushtimin e Qeverisë për të bërë maksimumin që fokusi primar të jetë në rininë. Ajo tha: “Në shëndetësi, ekonomi apo arsim, nevojitet nga një vendimmarrës politik që sigurohet që qeveria jonë në mënyrë të drejtpërdrejtë po përmirëson jetët e të rinjve tanë. Këtë, ne e kemi arritur duke emëruar zëvendësministrat për rini të cilët do përqendrohen në politikat sektoriale me fokus te rinia.”

Anëtarë të komisioni janë zëvendësministrat e tetë ministrive qendrore për rininë, të cilët janë emëruar përgjegjës për rini në ministritë dhe sektorët që mbulojnë. Në takimin e sotëm pati edhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në sektorin rinor.

Prapa