Ministri Hajrulla Çeku pret në vizitë zëvendësambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jacob Webber

09.04.2021

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrulla Çeku ka pritur në takim zëvendësambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jacob Webber dhe shefin e Këshillit Britanik në Kosovë, z. Angus Bjarnason.

Zëvendësambasadori Webber uroi ministrin Çeku për pozitën e re duke i dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në punët dhe detyrat që e presin në këtë post. Zëvendësambasadori Webber përmendi rëndësinë që kanë fushat të cilat i mbulon kjo ministri, sidomos në funksion të promovimit të shtetit të Kosovës ku rol të rëndësishëm luan kultura dhe sporti si ambasadorë të fuqishëm të një shteti.

Z. Çeku falënderoi zëvendësambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i jep Kosovës, duke përmendur trashëgiminë kulturore si një nga fushat ku Mbretëria e Bashkuar mund të ofrojë përkrahje të fuqishme si në drejtim të konsolidimit të saj ashtu edhe për promovimin e trashëgimisë kulturore – para së gjithash si pasuri botërore dhe e gjithë njerëzimit.

Vizita u përmbyll me dakordimin e hapave konkretë që do të ndërmerren në javët në vijim për ta materializuar përkrahjen e Mbretërisë se Bashkuar për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Prapa