Qeveria e Kosovës ndihmon 38 Federata Sportive me një vlerë totale prej 1.5 milion euro

17.11.2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, qëndroi për një vizitë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku bashkë me ministren Vlora Dumoshi, ndanë marrëveshjet për mbështetje financiare për 38 të Federatave Sportive të Kosovës.

Vlera e mjeteve financiare me marrëveshjet e nënshkruara nga ministrja Dumoshi dhe nga kryetarët e federatave përkatës vjen nga fondi për mbështetjen e sportit në kohë të pandemisë me një shumë totale prej mbi 1.5 milion euro, ku do të përfitojnë 627 klube, me rreth 26,000 sportistë.

Kryeministri Hoti, përgëzoi kryetarët e federatave, Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, përfaqësuesit e federatave dhe sporteve të ndryshme për punën që po e bëjnë, në respektimin e masave kundër pandemisë.

“Më vjen mirë që kemi arritur të ndajmë një pjesë të mbështetjes që ju të përballeni me këtë situatë të vështirë nëpër të cilën po kalojnë të gjithë qytetarët e vendit pa përjashtim”, tha Kryeministri Hoti, dhe shtoi se edhe për vitin e ardhshëm është paraparë një pako e mbështetjes që përfshinë edhe fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Ndërkaq, ministrja Dumoshi sqaroi se gjatë vitit 2020 Qeveria e Kosovës ka mbështetur me 3 milionë e 985 mijë euro për investime kapitale në përmirësimin e infrastrukturës sportive, kurse përmes subvencioneve të ndryshme përgjatë vitit 2020 klubet sportive janë ndihmuar edhe me 2,586,540.20 euro.

“Qeveria e Kosovës ka treguar përkushtim dhe vëmendje maksimale ndaj dikastereve të MKRS-së duke mbështetur financiarisht kulturën e sportin në përballjen kundër Covid-19 dhe duke pasur në vëmendje artistët e sportistët si kategori e prekur nga situata aktuale”, ka deklaruar ministrja Dumoshi.

Prapa