Ministrja Dumoshi: Me të rinj të aftësuar profesionalisht, shteti i Kosovës çohet përpara

21.10.2020

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, vizituan sot Komunën e Skenderajt për të marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të të rinjve në fushën e edukimit joformal dhe në inspektimin e disa projekteve që është duke investuar ministria në këtë komunë.

Delegacioni i MKRS-së bashkë me Kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, fillimisht vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku nderuan heronjtë e rënë.

Kurse në objektin e Komunës, ku u mbajt edhe ceremonia e certifikimit të të rinjve, ministrja Dumoshi tha se ndjehet e kënaqur që ndodhet në Skenderaj, dhe përmes punëve me përgjegjësi që po bën ministria në bashkëpunim me komunën, janë edhe një përmbushje e amanetit për të cilin edhe kanë rënë dëshmorët të cilët, që shtetin e Kosovës ta çojmë përpara.

“Shteti i Kosovës çohet përpara me ju të rinj të cilët sot po certifikoheni. MKRS-ja ka programin e veçantë për certifikimin e të rinjve në aftësimin profesional dhe me ju në Skenderaj e përmbyllim këtë proces për sivjet, ku 1200 të rinj në tërë Kosovën janë aftësuar për të hartuar biznese me të cilët do të aplikojnë për përkrahje në ministri dhe kjo do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha ministrja.

Po ashtu ministrja përmendi edhe investimet që MKRS-ja po realizon në Komunën e Skenderajt dhe me një farë mënyrë këto investime kapitale prekin dhe shkojnë në dobi të të rinjve. Ajo tha se me kryetarin Jashari dhe me komunën kanë një bashkëpunim të shkëlqyer.

Kurse kryetari Jashari e falënderoi ministren Dumoshi dhe MKRS-në për tërë përkrahjen që kanë dhënë për Komunën e Skenderajt, që në kuadër të kësaj përkrahjeje është edhe kjo ceremoni që po kurorëzon përfundimin e këtij projekti të aftësimit profesional të të rinjve.

Kryetari Jashari përmendi edhe projektet konkrete që po realizohen në bashkëpunim me MKRS-në, si palestra e sportit në qytetin e Skenderajt, e cila pritet të përfundojë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, projekti i Kullës së Shaban Mangjollit, ndërtimi i fushës së futbollit në Polac, rinovimi i kulmit të shtëpisë së kulturës, stadiumi i qytetit, stadiumi në Runik, i cili tashmë është funksionalizuar, akademia ushtarake në Açarevë, Kulla e Osman Gecit në Llaushë, e shumë projekte tjera që janë në planifikim për t’u realizuar në të ardhmen.

Ministrja Dumoshi bashkë me stafin e MKRS-së e shoqëruar edhe nga kryetari Jashari, kanë parë nga afër palestrën e sportit në qytetin e Skenderajt si dhe stadiumin e qytetit.

Prapa