Ministri Gashi: Artistët do të kenë mbështetje të vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e artit dhe kulturës kosovare

09.05.2019

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot morën pjesë në inaugurimin solemn të Pavijonit të Republikës së Kosovës në Beinalen e 58-të të Venedikut, të përfaqësuar nga artisti Alban Muja.

Me nga një fjalë rasti, Ministri Gashi dhe Kryetari Veseli shprehën përkrahjen e tyre të vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e artit dhe kulturës kosovare, respektivisht në fuqizimin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut.

Mes shumë emrave eminent, Pavijoni i Republikës së Kosovës u nderua me prezencën e Presidentit të Bienales së Venedikut z. Paolo Baratta, në inaugurim.

Me këtë rast, z. Baratta e vlerësoi shumë pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Venedikut, ku ndër të tjera tha se \"jam shumë i lumtur që shteti me i ri i Evropës është pjesë e Bienales së Venedikut për vite me rradhë\".

Para të pranishmëve, Ministri Gashi u shpreh se ndihet i nderuar që Kosova për herën e 7-të prezantohet para publikut botëror në Bienalen e Venedikut, që njëherit njihet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në botë. Me bindje të thellë, Ministri Gashi potencoi faktin se artistët kosovarë janë ndër ambasadorët më të dinjitetshëm të Kosovës nëpër botë, duke shkëlqyer në të gjitha fushat e artit.

Gjithashtu, Ministri Gashi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në inaugurim, si dhe artistin Alban Muja, komisioneren Arta Agani dhe kuratorin Vincent Honore, për punën e tyre të palodhshme në realizimin e suksesshme të pavilionit tonë.

Kryetari Veseli, theksoi se ndihet krenar me prezantimin e Kosovës në Biennale, konkretisht me sjelljen e një realiteti te hidhur nga e kaluara jonë e afërt, pjesë e së cilës ishte edhe vetë artisti Muja. Gjithashtu, vlerësoi se Pavijoni i Republikës së Kosovës do të duhej të kishte hapësirë më të madhe në prezantimet në vijim, duke u bazuar në faktin e rritjes gjithnjë e më shumë të të interesuarve për të vizituar Pavijonin tonë.

Artisti Alban Muja dhe Komisionerja e Pavijonit të Republikës së Kosovës, Arta Agani falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen, si dhe te gjithë ata që kontribuan në realizimin e suksesshëm të projektit prezantues në Pavijon.

Ndërsa, Kuratori i Pavijonit të Republikës së Kosovës, Vincent Honore shpjegoi për të pranishmit konceptin e veprës së prezantuar, duke thënë se bukuria e projektit qëndron në minimizimin e tij, përmes te cilit thuhet shumë për përjetimet e kosovarëve para 20 viteve dhe sot.

Prapa