Ministri Gashi organizon akademi përkujtimore për heroin e Kosovës Xhemaijli Berisha

06.04.2019

Sot, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u mbajt akademi përkujtimore për nder të 30 vjetorit jubilar të rënies në altarin e lirisë, të Dëshmorit të Kombit, prof. Xhemajli Berisha.

Me këtë rast, ministri Gashi, tha se “Lëvizja  Kombëtare për çlirimin e Kosovës, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ndër të tjera, burimin e frymëzimit e kishte  në luftërat heroike të  popullit të Kosovës, dalja në skenën politike, kombëtare e Adem Demaçit me shokë, me Programin kombëtar, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, i  dha frymëzim  dhe shpirt Lëvizjes Kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, në periudhat e viteve të 60-ta, 70-ta, 80-ta\".

“Xhemajli Berisha së bashku edhe me shokë dhe shoqe të idealit të shqiptarisë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit, Shote  Galicës, Bajram Currit,  u përgjaken, u arrestuan, u bugosën, por, asnjëherë nuk u dorëzuan. Xhemajli Berisha, ai trim Kosove, student i shkëlqyer dhe krijues shumë i talentuar, në atë pranverën shqiptare të vitit 1981, sërish, si dikur Adem Demaçi me brezin e tij,  po hapnin faqe të re të historisë së luftës për liri”, tha ministri Gashi.

“Në epokën e lavdishme të Xhemajli Berishës dhe brezit të tij, i gjejmë, gjurmët, paralajmërimet e historisë për daljen në skenën e Lëvizjes sonë Kombëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa Lëvizjen Atdhetare për çlirimin e Kosovës, pjesë e të cilës ishte edhe Dëshmori Xhemajli Berisha, nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës, nuk do të kishte çlirim të Kosovës, nuk do të kishte shtet të Kosovës”, theksoi ministri Gashi.

Po ashtu ministri tha se “Xhemajli Berisha, ky dëshmor guximtar dhe mendjendritur i Kosovës, që në rininë e tij të hershme ishte edukuar me idetë kombëtare, me idealizmin e shqiptarisë, me besimin në luftën e drejtë të popullit shqiptar për çlirim nga sundimi i armikut. Ishte, më tepër se idealist, ishte trim, i pa mposhtur, i vendosur në rrugën e lirisë, i gatshëm, sikur  edhe shumë djemtë dhe vajza trime të Kosovës, që, edhe me jetë t’i shërbente kauzës, ëndrrës për Kosovën e lirë, ideal, të cilin e përjetësoi brezi i Epokës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pos tjerash ministri Gashi tha se “në këtë përvjetor të rënies heroike të Dëshmorit të Kombit Xhemaijl Berisha, shteti i Kosovës tashmë është shtet i pavarur dhe i lirë ashtu siç e deshi ai dhe brezi i tij, Kosova po forcon identitetin e saj shtetëror , si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar”.

Gjithashtu gjatë kësaj Akademie, këshilltari i presidentit Hashim Thaçit, Ismail Syla, i dorëzoi vëllaut të dëshmorit Xhemajli Berisha, titullin “Hero i Kosovës”, ai tha “se vetë fakti se për një muaj u nderuan dy kategori të personaliteteve të ndryshme tregon se në Kosovë sistemi i vlerave është duke rënë në vend të vet”.

Prapa