Fillon Frankofonia në Kosovë, MKRS ka përkrahur këtë organizim

05.03.2019

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija Deva, së bashku me Ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chabert, Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, Shefin e zyrës Belge Jean-Lois Servais, si dhe Albert Prenkaj drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në një konference për media bënë hapjen zyrtare të “Javës së Frankofonisë” në Kosovë e cila do te mbahet prej datës 5 deri më 31 mars, dhe është organizuar nga ambasada e Francës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Kulturës, si dhe përfaqësitë tjera diplomatike në Kosovë.

Zëvendësministrja shprehu falënderimin dhe konsideratën për organizimin në fjalë duke e vlerësuar si një program i cili do të ndikojë në forcimin e partneritetit mes kulturës dhe shoqërisë kosovare me ato frankofone.

Ajo shpjegoi se në përkrahje të kësaj jave, MKRS-ja ka ka nënshkruar edhe një Memorandum të Mirëkuptimit me Aleancën Franceze, me qellim te përkrahjes financiare të këtyre aktiviteteve.

“Jemi krenarë që Kosova ka fituar statusin e anëtarit të asociuar në organizatën e Frankofonisë, dhe shpresojmë që shumë shpejtë të bëhemi edhe anëtare me të drejta të plota pranë kësaj organizate. Përmes avancimit të këtij statusi të anëtarësimit në Frankofoni, Kosova do të ketë mundësi më të mëdha për të reflektuar vlerat e saja kulturore, standardet dhe praktikat më të mira të bashkëpunimit ndërkombëtar”, është shprehur mes tjerash zëvendësministrja Burbuqe Bakija-Deva.

“Ngjarje dhe bashkëpunime të këitlla si kjo me Aleancën e Francës tashmë për disa vite si dhe bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me Ambasadën e Republikës së Francës, krijojnë mundësi dhe parakushte për përmbushjen e objektivave të promovuara historikisht dhe përgjatë dekadave nga Frankofonia sikurse vlerat demokratike, mbrojta e të drejtat e njeriut, zhvillimi ekonomik dhe social, promovimi i kulturës së diversitetit dhe dialogut mes kulturave”, ka shtuar tutje zëvendësministrja.

“Trajtimi i kulturës së diversitetit, artit të trashëgimisë kulturore si dhe të sportit në kontekstin e zhvillimit social dhe të ndikimit social, rolit në zhvillimin ekonomik dhe atë të ndërkombëtarizmit dhe forcimin e shkëmbimeve kulturore dhe sportive dhe nxitjen e dialogut, mbeten prioritet në agjendën tonë institucionale dhe shtetërore”, ka thënë ajo duke shpjeguar se MKRS-ja mbetet vazhdimisht e angazhuar që të krijojë dhe zhvillojë politika, ambiente dhe mekanizma të përshtatshme për promovimin e aktiviteteve të kulturës.

Prapa