Ministri Gashi: Libri “The city is everywhere” pasqyron rezistencën e shqiptareve në vitet më të vështira të okupimit

26.12.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në promovimin e librit “The city is everywhere”, që është produkt i Pavijonit të Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut për vitin 2018.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh i lumtur me promovimin e librit “The city is everywhere”, si përmbyllje e një procesi tejet të rëndësishëm, një storje mjaft të suksesshme të shtetit të Kosovës, përfaqësimin e saj jashtë vendit në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës e të artit në botë, pjesëmarrjen në Bienalen e Vendikut 2018.

Ministri Gashi po ashtu theksoi se shteti ynë u përfaqësua dinjitetshëm e në mënyrë serioze në Bienalen e Venedikut dhe se me prezencën e saj në skenën kulturore e artistike ndërkombëtare në këto vitet e fundit, Kosova ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në bërjen e diplomacisë kulturore.

“Duke qenë se Kosova në vazhdimësi ka prodhuar lajme për sukseset e artistëve tanë kudo në botë, kjo ka ndihmuar edhe në forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë si dhe në krijimin e një imazhi të mirë për Kosovën”, tha ai.

Ndër të tjera, ministri Gashi tha: “Për mua si ministër i Kulturës, ka qenë nderë i madh që ndër vendimet e mia të para si ministër të jetë pikërisht vendimmarrja për pjesëmarrjen e Kosovës në Ekspozitën e 16-të të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut për vitin 2018, pas një mungese të pakuptimtë në vitin e mëparshëm”.

“Prezenca e Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës e artit në botë, siç është Bienalja e Venedikut, është tejet e rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë tonë, andaj prezantimi i shtetit tonë në këtë ngjarje sa ka qenë nderë e privilegj ka qenë edhe sfidues në aspektin e prezantimit me temën dhe rrëfimin tonë, por fatbardhësisht ia dolëm në mënyrën më të mirë”, u shpreh ministri Gashi.

Ministri po ashtu tha se “me botimin e librit me temën e prezantimit në Bienale po e lëmë trashëgimi edhe një libër ku gjerësisht trajtohet tema e hapur nga ne për rezistencën kolektive të shoqërisë shqiptare në Kosovë në vitet më të vështira të okupimit, pra vitet 90. Kjo ka posaçërisht rëndësi edhe për gjeneratat e reja që ta njohin më mirë vendin e tyre dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Në fund, ministri Gashi theksoi “Jam shumë i lumtur që përveç se rrëfimi para botës në Bienalen e Venedikut jep një pasqyrë të rezistencës sonë kolektive, kjo nismë brenda nesh do ta hap derën edhe për rrëfimet e tjera të këtyre viteve që i kontribuuan shtetndërtimit të Kosovës”. 

Prapa