Zëvendësministrja Bunjaku raportoi pranë Komisionit Parlamentar për zbatimin e Strategjisë dhe Planit Nacional të Veprimit për Persona me Aftësi të Kufizuara

13.11.2018

Zëvendësministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Bunjaku, ka raportuar pranë Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, lidhur me zbatimin e Strategjisë dhe Planit Nacional të Veprimit për Persona me Aftësi të Kufizuara.
 
Gjatë raportimit, zëvendësministrja Bunjaku tha: “Departamentet e MKRS-së duke zbatuar Politikat Programore për Personat me Aftësi të Kufizuara gjatë periudhës 2018 kanë filluar  zbatimin e Strategjisë për Persona me Aftësi te Kufizuara duke ndarë buxhet dhe duke realizuar projekte  në përkrahjen dhe përmirësimin e  pozitës së personave me aftësi të kufizuara në kulturë, rini, sport dhe trashëgimi kulturore”.
 
Në raportimin e saj, rreth Departamentit të Sportit, zëvendësministrja Bunjaku tha se mbështetja e vazhdueshme e Departamentit të Sportit është që të vazhdoj deri në masivizimin, përhapjen dhe  ngritjen e cilësisë së sporteve te secilës kategori veç e veç.

“Përmes politikës programore “Integrimi në Sport i Personave me Aftësi të Kufizuara” Departamenti i Sportit ka inkurajuar në marrjen me aktivitete sportive, përmes programeve sportive specifike dhe të përshtatura për këtë kategori, përkrahjen e aktiviteteve sportive, trajnimin dhe zhvillimin e sportistëve duke krijuar kushte për gara, lehtësimin e qasjes në objektet sportive në projektet ku është duke investuar Departamenti i Sportit, organizimin e programeve për zhvillimin e resurseve njerëzore në administrim, trajnim dhe zhvillim të kësaj kategorie”, tha ajo.
 
Për Departamentin e Rinisë, zëvendësministrja Bunjaku tha se përmes politikës programore “Parimi i trajtimit të barabartë”, ky departament ka përkrahur realizimin e shumë aktiviteteve të OJQ-ve, që janë: “Qendra Edukative e Fëmijëve  me nevoja te veçanta’’, “Handikos”, “Access”, “LIZA-R” , “KVR”, “Hader”, “Thank You Amerika”.
 
“Departamenti i Kulturës përmes aktiviteteve-veprimeve për  ‘’Formimin e koleksioneve audio-vizuale në Bibliotekën Kombëtare dhe Bibliotekën e Verbërve të Kosovës “Syri Ynë” në Prishtinë’’  ka përkrahur realizimin e këtyre projekteve: “Fuqizimi i talenteve të reja me aftësi të kufizuara”, Handikos Prishtinë, “Personat me aftësi të kufizuara kanë talent janë mbrojtës të traditave dhe trashëgimisë kulturore”, Handikos Prizren, “Identifikojmë dhe Promovojmë Potencialin Artistikë të Personave me Aftësi të Kufizuar” Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar Prishtinë, “Ti barabartë unë”, Shemsedin Sajhadi etj.”, raportoi Bunjaku. Po ashtu, zëvendësministrja theksoi edhe përkrahjen financiare të botimit të librave me shkrim Braille dhe organizimin dhe mbajtjen e garës tradicionale në alfabetin Braille.
 
Ndërkaq për sa i përket Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, zëvendësministrja Bunjaku tha se edhe ky departament përmes politikave të saj programore, ka përkrahur projekte dhe aktivitete të personave me aftësi të kufizuara me qëllim të përmirësimit të pozitës së kësaj kategorie në fushën e trashëgimisë kulturore. Pas përmendjes së aktiviteteve të cilat i ka realizuar dhe projekteve të cilat janë përkrahur nga Ministria përmes Departamentit të Trashëgimisë, zëvendësministrja theksoi se “Ministria ka aprovuar kërkesën e Zyrës për Qeverisje të Mirë –Zyra e Kryeministrit, lidhur me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara ku është tashmë tradicionale që me qëllim të shënimit të kësaj dite ne Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë punësuar tre persona me aftësi te kufizuara në afat kohor prej tri ditësh”.
 

Prapa