Ministri Gashi: Synim i imi është të kemi të rinj të përgatitur për tregun e punës

05.11.2018

Edhe rreth 400 të rinj të certifikuar për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit i janë shtuar Kosovës. Sot, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar ceremoninë e shpërndarjes së Certifikatave “Trajnime për Ndërmarrësi dhe Zhvillim të Planeve të Biznesit”.

Në ceremoni mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili e ka vlerësuar të suksesshëm këtë projekt të edukimit të të rinjve të cilin e ka mbështetur MKRS-ja.

Me ketë rast ministri Gashi tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vazhdon të ketë përkushtim dhe përkrahjen për fuqizimin e rinisë në Kosovës, duke u vënë bashkërisht në shërbim të komunitetit rinor dhe në funksion të implementimit të Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë si dhe Planin e Veprimit për Rritjen e Punësimit te të Rinjve.

“Jam i lumtur që në këtë tremujor të fundit kemi arritur të mbështesim 5 Organizata Joqeveritare/kompani në 7 regjione të Kosovës, ku përmes këtij projekti ne synojmë t’i përgatisim të rinjtë për tregun e punës përmes ofrimit të trajnimeve në ndërmarrësi që do të ndihmoj të rinjtë të zhvillojnë njohurit në hartimin e planeve të biznesit, një synim ky i imi si Ministër, por edhe i MKRS-së për të pasur sa më shumë të rinj të përgatitur për tregun e punës edhe për të qenë të gatshëm të zhvillojnë biznese dhe të udhëheqin ndërmarrje të ndryshme”, tha ministri Gashi.

Po ashtu ministri tha se përmes këtyre trajnimeve/moduleve tuaja, ju është dhënë mundësia e përgatitjes për biznes plane të gjithë rinjve nga të gjitha komunitetet që jetojnë në vendin tone, veçanërisht, kemi përkrahur të gjitha grupet e margjinalizuara femrat e reja në zonat rurale, komunitetet e ndryshme dhe personat me nevoja të veçanta, duke siguruar kështu gjithë përfshirje.

“Unë dhe stafi im do të jemi në shërbim te të gjithë të rinjve që të sigurojmë një perspektive më të mirë për jetë të dinjitetshme për ju, të punojmë bashkërisht dhe fuqishëm që rinia jonë mos ta sheh si zgjidhje të tyre largimin nga Kosova, por të krijojmë mekanizma që potenciali juaj i madh të shfrytëzohet për ndërtimin e shtetit tone”, shtoi ministri Gashi.

Prapa