Qeveria e Kosovës miraton dy rregullore të propozuara nga ministri Kujtim Gashi

30.10.2018

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u miratuan dy rregullore që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit pronën intelektuale të cilat duhet të mbrohen me ligj. Konkretisht, bëhet fjalë për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores për ndërmjetësimin e të Drejtës së Autorit dhe Rregulloren për të drejtën e kompensimit të veçantë.

Në ekspozenë e tij, ministri Kujtim Gashi, tha se “Rregullorja e ndryshuar dhe plotësuar, siguron që procesi i ndërmjetësimit në të drejtën e autorit të zhvillohet në mënyrë efektive dhe efikase. Ajo përcakton afate dhe procedura të qarta dhe të sakta, në këtë aspekt rritë sigurinë juridike dhe ndihmon në zbatimin e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta”.

“Me këtë rregullore janë trajtuar çështjet kryesore si në vijim: Çështja e fillimit të procedurës së ndërmjetësimit në kontestet e përcaktimit të tarifave të përgjithshme, çështja e propozimit të ndërmjetësuesit në këto konteste dhe çështja e kohëzgjatjes së procedurës së ndërmjetësimit në kontestet në lidhje me përcaktimin e tarifave të përgjithshme”, ka shpjeguar tutje ministri Gashi.

Ndërsa për rregulloren për kompensime të veçanta, ministri është shprehur se kjo bëhet me qëllim të krijimit të një sistemi funksional të së drejtës së autorit.

“Mbajtësit e të drejtave do të kompensohen për shfrytëzimin e veprave të tyre nga ana e shfrytëzuesve të të drejtave, kështu që i propozoj Qeverisë të aprovoj Rregulloren për rregullimin e të drejtës për kompensim të veçantë, me të cilën përcaktohen vlerat monetare – tarifa - e cilat do të aplikohet për çdo mjet i cili mund të përdoret për kopjim të materialit apo lëndës të mbrojtur me drejtën e autorit”, ka thënë mes tjerash ministri gjatë ekspozesë për rregulloren e dytë.

Rregullorja në fjalë detajon se çfarë kompensohet. Fjala vjen, C.D., DVD, disqe të ndryshme, USB, Hard disqe, për disqe të integruara, për video regjistrues, për memorien e TV-ve e deri te ajo e telefonave mobil, pastaj për aparate fotokopjuese varësisht nga numri i kopjimeve që mund të bëjnë dhe për çdo kopje të bërë me pagesë, parashihen saktësisht me anë të kësaj rregulloreje.

“Miratimi i rregullores është vendim historik për autorët, krijuesit dhe prodhuesit e materialit të mbrojtur me të drejtën e autorit, pasi që nga sot ata do të kenë edhe një burim të të ardhurave për veprat e tyre të krijuara me mund dhe sakrificë. Miratimi i kësaj rregulloreje përbën edhe një hap tjetër në krijimin e një sistemi funksional të të drejtave të autorit, dhe në zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asocim”, ka thënë ministri. 

Prapa