Ministri Gashi: Projekti i Palestrës Sportive në Samadrexhë të Vushtrrisë do të përfundoj brenda këtij viti

04.07.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot vendpunishten e Palestrës Sportive në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë. Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi u takua me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Pas inspektimit të punimeve, ministri Gashi në një prononcim për media u zotua për sigurimin e fondeve për finalizimin e projektit brenda këtij viti. “Ka qenë një projekt i paraparë në faza për tri vite por jemi të përkushtuar që ta përmbyllim brenda këtij viti si dhe do të zotohemi që t’i sigurojmë buxhetin  e nevojshëm për finalizimin e këtij projekt. Sipas projektit dhe sipas organit mbikëqyrës janë edhe rreth gjysmë milionë euro që do t’i sigurojmë për ta përfunduar këtë projekt. Ne një pjesë të mjeteve e kemi të siguruar por sigurisht që edhe me rishikim të buxhetit por edhe alternativa të tjera jemi zotuar që këtë punë ta përfundojmë këtë vit dhe fondin do ta sigurojmë deri në tetor dhe nëntor ta kemi të gatshëm për finalizimin e projektit”, u shpreh ministri Gashi.

Ai po ashtu nga organet mbikëqyrëse kërkoi që t’i intensifikojnë punimet: “ Ne kemi kërkuar sot nga organet mbikëqyrëse që t’ intensifikojnë punimet dhe unë i inkurajoj kryetarin e Komunës edhe drejtoreshën që të jenë çdo ditë në vizitë te ky objekt në mënyrë që të informojnë për dinamikën e punimeve”.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Vushtrisë, Xhafer Tahiri, tha se “ky është një projekt kapital sportiv për qytetin e Vushtrrisë i cili është i domosdoshëm për të rinjtë, për sportistët e komunës sonë që do të jetë në funksion të zhvillimit të sportit. Fshati Samadrexhë është i njohur për sportin, për hendbollin në veçanti. Besoj që shumë shpejt do të kompletohet e që Ministria të përgjigjet shumë shpejt me fonde që të përfundohet dhe kompletohet objekti”.
 

Prapa