Vazhdon koordinimi për organizimin e Javës Evropiane të Sportit në Kosovë

15.05.2018

Trupa Kombëtare Koordinuese për Organizimin dhe mbarëvajtjen e Javës Evropiane të Sportit në Kosovë e themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbajtur takimin e radhës për përgatitjet për ta organizuar këtë ngjarje të rëndësisë së jashtëzakonshme jo vetëm për sportin por edhe për promovimin e mëtejmë të vendit tonë.

Në këtë takim janë bërë propozime konkrete mbi aktivitetet që do të organizohen gjatë kësaj jave që do të mbahet në fund të shtatorit. Komiteti Olimpik i Kosovës do të organizojë një konferencë për rolin e femrës në sportin e Kosovës. Aktivitete do të organizohen edhe Komiteti Paraolimpik i Kosovës, Federata e Sportit Shkollor, Federata e Sportit Universitar, Federata e Atletikës dhe Federata e Çiklizmit.

Anëtarët e Trupës janë pajtuar që aktivitetet do të mbahen në të gjitha regjionet e Kosovës ashtu që i tërë territori i vendit të jetë i përfshirë në Javën Evropiane të Sportit. Kjo bëhet me qëllim që Java të ndikojë në masivizim dhe ndërgjegjësimin e mëtejmë mbi rëndësinë e sportit dhe jetën e shëndetshme që ofron ky aktivitet fizik.

Prapa