Kosova merr përkrahje të shumëfishtë nga Gjermania për avancim të kulturës

19.03.2018

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, është takuar me Ministrin e Shtetit për Evropë të Republikës Federale të Gjermanisë, Michael Roth, njëherësh edhe Zëvendësministër i Jashtëm, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin dhe përkrahjen që shteti gjerman është duke dhënë për Kosovën.

Zëvendësministri Hoti ka falënderuar Ministrin Roth për përkrahjen që shteti gjerman ka dhënë në ndihmë shtetit të Kosovës në të gjitha sferat, sidomos në ato të Kulturës, Rinisë, Sportit e Trashëgimisë Kulturore. Hoti kërkoi nga Roth që të angazhohet ta ndihmojë Kosovën në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të kulturës, në rrjetin Traduki dhe të lobojë për anëtarësim në UNESCO, ku edhe mori përkrahjen e Roth.

Zëvendësministri u shpreh që forcimi dhe thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit mes dy vendeve është i rëndësisë strategjike në të gjitha fushat e kulturës përmes realizimit të projekteve konkrete dhe shkëmbimit të përvojave e profesionistëve të fushave, me ç’rast mori edhe miratimin e ministri Roth.

Po ashtu, Hoti është takuar edhe me drejtorin e Panairit të Librit të Lajpcigut, Oliver Zille. Hoti diskutoi me drejtorin Zille për mundësinë që Kosova të jetë e pranishme vazhdimisht në Panairin e Librit me botime të të gjitha zhanreve të librit. Drejtori Zille u shpreh se e mirëpret pjesëmarrjen e Kosovës në panair si një vlerë të shtuar dhe që e pasuron këtë organizim që ka një traditë shumë të vjetër dhe ku marrin pjesë shtete të ndryshme anekënd botës.

Në vazhdën e këtyre takimeve, Hoti ka realizuar një bisedë edhe ambasadoren e Lihtenshtajnit në Berlin, Isabel Frommelt-Gottschald. Hoti diskutoi me ambasadoren për ndërtimin e raporteve më të drejtpërdrejta në bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve si dhe në përkrahjen e Kosovës për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë që merren me fushën e kulturës.

Zëvendësministri Hoti ka përfaqësuar Kosovën në pjesëmarrjen e saj në Panairin e Lajpcigut me ftesë të Tradukit, edhe pse nuk jemi ende anëtarë të këtij rrjeti evropian.

Pjesëmarrja dhe diskutime gjatë kësaj vizitë kanë qenë me rëndësi sepse janë realizuar takime bilaterale në nivel ministrash për avancimin e institucioneve kulturore të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Prapa