Zëvendësministri Hoti mori pjesë në promovimin e librit për Aleksandër Moisiun në Gjermani

15.03.2018

Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, po qëndron në një vizitë zyrtare në shtetin gjerman.

Në vazhdën e aktiviteteve dhe takimeve që është duke zhvilluar, zëvendësi Hoti, i shoqëruar nga këshilltarja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, Shota Bukoshi, ka marrë pjesë në promovimin e librit biografik për aktorin e madh shqiptar Aleksandër Moisiu dhe në ekspozitën online me fotografi nga jeta e aktorit.

Librin “Aleksandër Moisiu: Trieshtë, Berlin, Nju Jork Një legjendë aktrimi” e ka shkruar autori gjerman Rüdiger Schaper, dhe e ka përkthyer në shqip Feride Xh. Berisha.

Në aktivitetin e mbajtur mbrëmë vonë, i cili ka qenë i organizuar në mbështetje të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, u lexuan pjesë nga libri për aktorin e madh, nga vetë autori Schaper dhe nga përkthyesja Berisha si dhe u sollën para të pranishmëve mendimet e Stefan Zweig-ut dhe Franz Kafka-s për aktorin shqiptar, që karrierën e filloi në Austri e zhvilloi në Berlin, më pas në Nju Jork për ta përfunduar në Trieshtë të Italisë.

Po ashtu, u shpalosën edhe letra dashurie të pabotuara më parë të aktorit.

Zëvendësministri Hoti me këtë rast falënderoi organizatorët për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore që solli në rikujtesë aktorin e madh shqiptar me famë botërore.

Ky libër erdhi si projekt i përbashkët i Qendrës Multimedia në Prishtinë, Shtëpisë Botuese PA dhe Traduki.

Prapa