Hoti: Komuniteti shqiptar në Zvicër mirë i organizuar

12.03.2018

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Shqiptare në Cyrih kanë organizuar një manifestim për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, 7 e 8 marsit si dhe 11 marsit – Pranverës së 81-shit, ku morën pjesë personalitete të shumta, ndër ta zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, Islam Spahiu, konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, historiani Frashër Demaj, arsimtarë që janë të angazhuar në arsimimin shqip të gjeneratave të reja në Zvicër.

Në manifestimin e organizuar ishin të pranishëm tërë përfaqësuesit e kantoneve të Zvicrës, ku nxënësit e shkollave shqipe mbajtën edhe një program me pika të ndryshme artistike dhe u shpërndanë mirënjohje për mësuesit e pensionuar të cilët kanë dhënë kontribut për gjuhën e kulturën shqipe në hapësirën helvetike.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, foli në manifestim në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të MKRS-së, duke i përshëndetur për organizimin. Zëvendësi Hoti e cilësoi manifestimin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe u shpreh se ky është një fakt që shqiptarët në Zvicër janë ndër komunitetet më të organizuara. Manifestime të këtilla mbajnë gjallë kulturën e gjuhën shqipe në Zvicër, ka thënë Hoti. Ai, ndër të tjera, e shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës në mbështetje të komunitetit shqiptar të Kosovës në Zvicër në të gjitha aspektet.

Hoti zhvilloi takim me Spahiun dhe kryetarin e LAPSH-së, Nexhat Maloku. Ata diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit konkret dhe që mërgata të jetë pjesë e pandarë e trungut të kulturës, rinisë dhe sportit në veprimtaritë që zhvillohen në Kosovë.

Prapa