Promovimi kulturor

DIVIZIONI I PROMOVIMIT KULTUROR

Veprimtaria e Divizionit të Promovimit Kulturor është e shtrirë në këta sektorë dhe zyrtarë:

Sektori i Promovimit
Sektori i Diversitetit dhe Dialogu Kulturor
Sektori i Industrisë Kreative
Sektori i Diplomacisë Kulturore

Promovimi i kulturës ka një rol qendror në ambientin kulturor të Kosovës. Po ashtu, luan rol strategjik në përforcimin e institucioneve vendëse dhe në promovimin e iniciativave kulturore ndërmjet bashkësive të ndryshme në Kosovë, si dhe ndërmjet Kosovës dhe pjesës tjetër të botës.
Financimi i projekteve realizohet nëpërmjet shqyrtimit dhe vlerësimit profesional të Ftesës Publike për Projektet Kulturore-Artistike për OJQ dhe Individë të Divizionit të Promovimit Kulturor, përkatësisht Departamentit të Kulturës dhe bazuar në Politikat Programore të Divizionit të Promovimit Kulturor.
Sektori i Provimit nga viti në vit e ka zgjeruar veprimtarinë e tij dhe është kujdesur që vlerat e mirëfillta, krijuesit dhe projektet e tyre, që përçojnë mesazhe kulturore dhe humanitare përtej kufinjve të shtetit tonë, të përkrahë dhe të nxitë aktivitete në këtë fushë. Objektivat e këtij sektori janë: të sigurojë një mbështetje të vazhdueshme për aktivitetet kulturore dhe vlerat kulturore në të gjitha fushat e kulturës; të mbështesë krijimtarinë kulturore dhe shprehjen e saj nëpërmjet të gjitha institucioneve kulturore, shoqatave, bashkësive dhe individëve; të mbështesë promovimin e artistëve vendës; t’i mbështesë dhe t’i promovojë kushtet më të mira për shkëmbime ndërkulturore në Kosovë dhe jashtë; ta rritë dhe ta forcojë kapacitetin për promovimin e artit dhe të kulturës kosovare në nivel ndërkombëtar; të rritë dukshmërinë dhe përhapjen e promovimit të kulturës në Kosovë dhe jashtë; ta promovojë imazhin e përtërirë të kulturës vendëse në Kosovë dhe jashtë; të promovojë dhe t’i shkëmbejë punët dhe nismat artistike brenda Kosovës dhe jashtë, në mënyrë që të kontribuojë në shpejtimin e procesit demokratik dhe në respektimin e një shoqërie pluraliste.
Sektori i Diversitetit dhe Dialogut Kulturor është një koncept mjaft kompleks. Termi përfshin një numër të pikëpamjeve dhe qëndrimeve të llojllojshme. Kjo politikë ka një rëndësi të veçantë, e cila kultivon respekt dhe tolerancë për dinjitetin njerëzor nëpërmjet njohjes së drejtave kulturore të secilit person apo grup njerëzish. Në këtë kontekst, politika e diversitetit dhe dialogut kulturor duhet ta luajë rolin strategjik në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë kosovare, me qëllim të krijimit të dialogut e të marrëdhënieve ndëretnike, multikulturore, duke pasur parasysh bashkëpunimin. Pra, politika në fjalë do të ketë qëllimet kyçe si në vijim: Promovimi, ruajtja dhe nxitja së diversitetit kulturor në Kosovë; Promovimi dhe nxitja e dialogut dhe bashkëveprimit multikulturor dhe ndërkulturor; Promovimi i diversitetit kulturor si kornizë e përbashkët e kuptimit, besimit dhe tolerancës së krijuar në mes të komuniteteve të ndryshme në Kosovë; Promovimi dhe integrimi i komuniteteve jo-shumicë në shoqëri, nxitja e politikave të diversitetit kulturor në Kosovë brenda kontekstit më të gjerë evropian dhe ndërkombëtar etj.

Sektori i Industrisë Kreative ka për synim promovimin dhe mbështetjen e vlerave kulturore si dhe ndërkombëtarizimin e artit kosovar. Industria Kreative mëton të ndihmoj në zhvillimin e potencialeve kulturore në përgjithësi.Të vazhdojë financimi i projekteve që kanë lidhshmëri me Industritë Kreative. Të promovohen veprat me vlerë dhe traditë kulturore; Të rritet kapaciteti i promovimit të artit dhe kulturës në nivel ndërkombëtarë; Të bëhet promovimi i jetës kulturore në zonat e pazhvilluara; Të bëhet promovimi i artit tradicional të filigranit; Të mbështetet promovimi i aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore; Përhapja e promovimit të aktiviteteve kulturore në Kosovë dhe jashtë saj; Të bëhet promovimi i jetës kulturore në zonat e pazhvilluara; Rritja e produktivitetit në Industrinë Kreative.
Sektori i Diplomacisë Kulturore - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është përkushtuar të sistematizojë angazhimin përmes funksionalizimit të diplomacisë kulturore, që ka për synim ndërkombëtarizimin e artit kosovar. Përmes përmbajtjeve kulturore si dhe resurseve që posedon shteti, diplomacia kulturore e Kosovës mëton të loboj dhe ndihmoj në inovacionin, zhvillimin dhe integrimin e potencialeve përformuese të kulturës në përgjithësi. MKRS-ja gjithnjë do të përpiqet që të krijoj një atmosferë stabile në marrëdhëniet e mira fqinjësore, në respektimin e identiteteve lokale dhe interesave ndërkulturore, në inkurajimin për besimin reciprok dhe nxitjen e diversitetit kulturor.
Në Sektorin e Diplomacisë synohet rritja e mbështetjes financiare për skenën e pavarur kulturore; Prezantimi i Kosovës në evenimentet prestigjioze ndërkombëtare të artit dhe të kulturës; Qasja në fondet kulturore të Bashkimit Evropian si dhe rritja e bashkëpunimit dhe partneritetit me institucionet ndërkombëtare qeveritare dhe joqeveritare të specializuara në fushën e diplomacisë kulturore; Definimi i modaliteteve të bashkëpunimit me përfaqësitë diplomatike dhe organizatat multilaterale në Kosovë, në fushën e kulturës; Promovimi dhe rritja e pjesëmarrjes në Programin Evropa Kreative; Pjesëmarrja në Edicionet e Bienales së Venedikut etj.