Profili

Ansambli i Parë i Baletit kosovar është formuar në vitin 1972. Balerinët e asaj gjenerate janë shkolluar në Shkollën e mesme të Baletit në Shkup, ku nën udhëheqjen e drejtoreshës Tatjana Petkovska, u shkolluan 25 balerinë të rinj kosovar, nga ta 19 meshkuj e 6 femra.  
Pas përfundimit të suksesshëm të shkollimit, shumica prej tyre kthehen në Prishtinë dhe në kuadër të Teatrit Popullor Krahinor, formohet Ansambi i Baletit. Shtatëmbëdhjetë balerinët e parë jane: Ahmet Brahimaj, Rrustem Selca, Elez Nikçi, Shqipe Hoxha, Esma Mulla, Selajdin Kiçe, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rrustem Bajrami, Rrustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj, Enver Berisha. Për udhëheqës zgjidhet Abdurrahman Nokshiqi, I cili I takon gjeneratës më të hershme. Më vonë, Trupës iu bashkangjitën edhe 5 balerina nga Shkupi, e gjithashtu edhe balerinat kosovare të gjeneratës më të re, si: Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli, dhe dy balerinët Enver Elshani dhe Jashar Berisha.
 
Dhe kështu fillon Epoka e Baletit kosovar. Që në paraqitjet e para, balerinët kosovar treguan se janë mjaft të përgaditur dhe kanë cilësi te atilla që mund të barazohen me balerinët e vendeve të tjera.
 
Që në fillim u ndje mungesa e balerinave femra, sepse ishin më të pakta në numër, andaj për këtë arsye u arrit marrëveshja me Trupat e tjera të Baletit, për angazhim periodik të balerinave nga vende të ndryshme të Europës e Botës, si nga: Anglia: Vanda Ibra, Suzan Lejk e Xhoana Xhenkins; Nga Polonia: Joana Andziak, Lidija Tomashevska e Ana Stavnjak; Ngra Rumania: Lilana Benudau; Nga Beogradi: Vjollca Curri, si dhe nga Filipinet e largëta: Marja Bertlan.
 
 Me punën e palodhshme e plot përkushtim, Ansambli I parë I Baletit të Kosovës arriti të nxirrte në skenë shfaqje mjaft të mëdha, nga kompozitorë të huaj e shqiptar, si: Çajkovski, Ravel, Shtraus, Gershvin, dhe Rexho Mulliqi, Rauf Dhomi, Prenkë Jakova, Akil Koci, Gazend Zajmi, Bashkim Shehu, etj. Në këtë mënyrë u inskenuan suksesshëm shfaqjet e mëdha si: “Sokoli e Mirusha, “Halili e Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo e Xhyljeta”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Kishoti”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.
 
Në vitin 1985, Ahmet Brahimaj zgjidhet Shef i Ansamblit të Baletit të Kosovës. 

Vlen të ceket se Gjenerata e Parë ka dhënë një kontribut të çmuar për ngritjen e artit skenik në Kosovë. Përveç baletit, ka luajtur në shumë premiera të dramës, në ish Teatrin Popullor Krahinor të Kosovës. Me sukses të madh, është paraqitur në të gjitha skenat e ish-Jugosllavisë. Ka marrë pjesë disa herë në Festivalin Ndërkombëtarë “Bienalet e Baletit” në Lublanë, në Festivalin “Lojërat verore të Dubrovnikut”, e takime tjera.
 
Gjithashtu ka pasur një vizitë të suksesshme nëpër të gjithë teatrot e Shqipërisë, me baletin “Halili e Hajria”. Prandaj, puna e Gjeneratës së Parë vlerësohet si shumë e suksesshme.

Në vitin 1991, balerinët kosovarë u larguan me dhunë nga Teatri. Në këtë mënyrë ndalon dhunshëm së vepruari ky Ansambël.
Pas luftës, me ndihmën e disa kolegëve të tij, Ahmet Brahimaj, i cili tani është Drejtor i Baletit të Kosovës, si dhe njeriu kyç i rithemelimit të Baletit të Kosovës, arrin të hapë Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të Sh.m.m.”Prenkë Jakova”.

Në vitin 2001, Gjenerata e Parë e balerinëve dalin në skenë përsëri, për herë të parë pas aq shumë viteve pauzë. Nën koreografinë e Olivier Viaud, me muzikë të Jean Nowl Franqoise, së bashku me balerinët e rinj, Gjenerata e parë e baletit kosovar shfaqë me sukses shfaqjen “Fyelltari”. Kjo shfaqje ishte një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar, Zyrës Ndërlidhëse të Francës dhe Unmikut, dhe paraqet rikthimin e balerinëve të Gjeneratës së parë në skenën e Teatri Kombëtar.
 
Në vitin 2005, diplomon klasa e Ahmet Brahimajt, e cila është bërthama e Gjeneratës së Re të Baletit të Kosovës. Këta balerinë diplomuan në kuadër të Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova”, dhe janë: Behije Murtezi, Luljeta Ademi, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Bardha Neziri, Jeta Musolli, dhe djemtë: Sinan Kajtazi, Labinot Rexhepi, Dirlon Podrimçaku dhe Driton Saqipi. Më vonë kësaj Trupa I shtohen edhe balerinë nga Gjenerata më të reja të shkollës, siç janë: Teuta Krasniqi, Marigona Hoxha, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Muhamet Bikliqi dhe Liridon Mziu. Si Trupë e Re që është, Trupa e Baletit e Kosovës ka nivel të lartë, me balerinë mjaft të talentuar e të dedikuar ndaj punës, gjë që bënë që kjo Trupë të jetë në nivel me Trupat Evropiane e Botërore.
 
 

GJENERATA E RE

 Gjenerata e Re e Baletit të Kosovës është rithemeluar pas luftës, nga balerini Ahmet Brahimaj, shef i atëhershëm e drejtor i tanishëm i Baletit të Kosovës.  Me ndihmën e disa kolegëve të tij, ai formoi Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të sh.m.m. “Prenkë Jakova”, nga e cila shkollë diplomuan suksesshëm në vitin 2005 klasa e prof.A.Brahimaj, që njëherit është edhe bërthama e kësaj Trupe të tanishme. Balerinat e para janë: Behije Murtezi, Luljeta Ademi, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Bardha Neziri, Jeta Musolli, si dhe balerinët: Sinan Kajtazi, Labinot Rexhepi, Drilon Podrimçaku e Driton Saqipi. Më vonë, kësaj trupe I shtohen edhe balerinë nga brezat e rinjë të shkollës së baletit, si: Fatlum Zeka, Teuta Krasniqi, Marigona Hoxha, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Muhamet Bikliqi e Liridon Mziu.

Ndonëse mjaft e re, Trupa e Baletit e Kosovës ka arritur nivel të lartë, me balerinë të talentuar e të përkushtuar ndaj punës, dhe për momentin është një ndër Trupat më të reja në Ballkan, po që renditet krahas Trupave europiane për nga cilësia.
 
Deri tani ka arritur të inskenojë shfaqje mjaft të mëdha, nga kompozitorë të huaj e shqiptar, shfaqje klasike e moderne-dance&theatre. Në fillim te rithemelimit, kjo Trupë ka bashkëpunuar me koreografin nga Shqiperia, Gjergj Prevazi, me të cilin ka pasur një bashkëpunim të gjatë e frytdhënës, ku së bashku kanë nxjerrë në skenë shfaqje te stilit dance&theatre, sic janë: “Tranzicion II”, “S’po dëgjohet gongu?!”, “Kontrast”,  dhe “Performance”.
 
Nën koreografinë e Elton Cefës shfaqën “Kolazh Baleti”, një shfaqje ku përmblidhen pjesët më të bukura nga shfaqjet më të mëdha, si nga: “Don Kishoti”, “Zhizela”, “Korsari”, “Liqeni I Mjellmave” etj.
Pas kaq shumë vitesh punë e përgatitje, Trupa e Baletit fillon një bashkëpunim mjaft të suksesshëm me prima-balerinën dhe koreografen e shquar nga Bullgaria, Sylvia Tomova.  Kësaj radhe, Trupa bën një tjetër kolazh me pjesë të bukura nga balete të mëdha, porse tanimë kjo Trupë ka arritur një nivel të lartë teknik e interpretativ. Kështu, me shfaqjen “Mbrëmje e baletit klasik” nën koreografi të Sylvia Tomovës, e me muzikë nga kompozitorët e mëdhenj, si: P.I.Tchaikovsky, A.Adam etj, Trupa e Baletit e Kosovës tregon nivelin e saj te ngritur, balerinët mjaft të përgatitur, dhe tregon se tanimë është më se e aftë të përballojë e të inskenoje shfaqje të njohura, siç edhe ndodhë më vonë ku paraqiten shfaqje të mëdha botërore.

Bashkëpunimi me Sylvia Tomovan nuk mbaron këtu. Baleti i Kosovës dhe prima-balerina bullgare, përgadisin dhe shfaqin me sukses të madh shfaqjen “Bukuroshja e Fjetur”. Me muzikën e bukur të P.I.Tchaikovskyt, e me punën e palodhshme të gjithë stafit, duke filluar nga koreografja, balerinët, drejtori, e të gjithë të tjerët, kjo shfaqje arrin sukses të madh, shitje rekord të biletave, dhe shikueshmëri të madhe e fjalë të bukura, gjë që bën të ditur se tanimë Trupa e Baletit e Kosovës është Trupë profesionale, me nivel të lartë e balerinë të shkëlqyeshëm.

Një bashkëpunim tjetër I suksesshëm, është ai me koreografin ruso-bullgar Sergey Sergeev Arendar dhe prima-balerinën bullgare, mikeshën e Baletit të Kosovës, znj.Sylvia Tomova. Flasim për  shfaqjen “Carmen”, me muzikë të Bisset, Schedrin e Ravel.
 
Trupa e Baletit vazhdon me suksese të mëdha, duke bashkëpunuar me koreografin rus Konstantin Uralsky, me të cilin arrijnë të inskenojnë shfaqjen “More than two to Tango”, me muzikë të Astor Piazzolas. Përsëri kemi ndihmën e mikeshës sonë, Sylvia Tomova, që së bashku me Sinan Kajtazin, ishin asistentë koreograf në këtë shfaqje të mrekullueshme.

Më vonë, Trupa e Baletit I kthehet përsëri bashkëpunimit me koreografë nga Shqipëria. Kësaj radhe me koreografin Artan Ibërshimi, me të cilin vë në skenë dy shfaqje për një kohë të shkurtër, siç janë: “Rapsodi mbi temat e Paganinit”, një shfaqje me muzikë të kompozitorit të madh Sergey Rachmaninoff, dhe shfaqjen “Ping Pong Spektër” ku përsëri gjenë ndihmën e balerinit të ri, por mjaft të talentuar e përkushtuar Sinan Kajtazit, i cili edhe kësaj radhe është asistent koreograf. Shfaqjet kanë arritur sukses të madh dhe vazhdojnë të shfaqen ende, dhe të përcillen nga publiku me mjaft ëndje.

Ndër bashkëpunimet e fundit është edhe ai me koreografin holandez, Arthur Kuggeleyn, me të cilin Trupa e Baletit shfaqi: “Oh Zoti im”, një ribërje e shfaqjes “Dios Mio”, por e rikrijuar enkas për Trupën tonë. Me muzikë të Christian Meyer, kjo shfaqje ka lënë mbresa të mëdha te publiku, te kritikët e artit, dhe ka vazhduar të tregojë kualitetin e kësaj Trupe kaq profesionale.

Për momentin, Trupa e Baletit është në përgatitje e sipër të një shfaqjeje të re klasike, me koreografin e njohur turk Mehmet Ballkan dhe asistenten e tij Larisa Barth  premiera e së cilës do të jetë më 20 Nëntor 2010. Menjëherë pas kësaj shfaqje, do të fillojnë përgaditjet për një shfaqje të re të stilit modern, me koreografin e balerinin shqiptar që vepron në Kroaci, Ilir Kernin.

Pra, Trupa e Baletit e Kosovës është një Trupë mjaft aktive, me shfaqje cilësore e profesionale, me drejtorin e balerinët e saj, që punojnë intensivisht, me përkushtimin më të madh e me dashurinë e madhe që kanë për këtë art të vështirë, e mjaft te bukur-baletin.
 

Bashkepunimet e Festivalet:

 
Baleti i Kosovës, përveç bashkëpunimeve me koreografët që kanë qenë të thirrur enkas për shfaqje, ka pasur mjaft bashkëpunime me koreografë e Trupa nga shtete të ndryshme të Europës e Botës me të cilët ka realizuar work-shope e shfaqje te ndryshme, si me koreografë nga Zvicra, Amerika, Holanda, Suedia, etj. Ndër to mund të cekim paraqitjet në skenë, si te mjuzikëlli: “Diana” me Teatrin eksperimental nga Amerika “LA Mama”, shfaqjen “Jeta në lëvizje të ngadalësuar” me koreografin zviceran Filibertt Tologo, me balerinat nga SHBA-të Coleen Cintron e Marie Morrow, me shfaqjen “Dialog Show”, etj.

Ndër të tjerash, Baleti i Kosovës ka bashkëpunuar edhe me kompozitorin shqiptar Rauf Dhomi, ne Operën e tij kosovare “Dasma Arbëreshe”, premiera e së cilës ishte më 10/06/2003.

Baleti i Kosovës ka marrë pjesë në shumë Festivale Ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, si në:  -Festivalin e Ohrit, me shfaqjen “S’po dëgjohet Gongu” (07/08/2005),
-dy herë në Festivalin Ndërkombëtar të vallëzimit modern dance&thatre “Albanian Dance Meeting”, në Durrës më 09/04/2006 me shfaqjen “S’po dëgjohet Gongu” dhe më 14/04/2000 me shfaqjen “Performance”, që të dyja nga koreografi shqiptar Gjergj Prevazi.
-Më 29/08/2006, Baleti i Kosovës merr pjesë në Festivalin”Apollonia  Internacional  Festival” në Apolloni-Fier, me shfaqjen “Kontrast” nga koreografi Gjergj Prevazi.
-Me shfaqjen “Performance” Baleti i Kosovës merr pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar “Dance Fest” në Shkup (10/04/2009) ku Trupa e Baletit performon në Teatrin e Operas dhe Baletit të Shkupit, dhe
-në Festivalin “Scampa Dance Competition, Creativity and Interpretation” në Elbasan, (09/10/2009), ku dhe marrin çmimin e parë si koreografia më e mirë.
-Gjithashtu, kjo Trupë merr pjesë dhe në Festivalin “Kosova International Theatre Festival”  në Prishtinë me shfaqjen “Performance” më 05/11/2009.
 
Drejtor: Ahmet Brahimaj