Profili

Teatri Kombëtar i Kosovës (në fillim me emrin Teatri Popullor Rajonal e pastaj Teatri Popullor Krahinor) u themelua me Vendim të Kuvendit të KASK /Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës/ në tetor të vitit 1946 në Prizren. Ky ishte institucioni i parë teatror profesionist në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Disa muaj pas themelimit, TPK u transferua në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Shfaqjet e para të TPK-së janë punuar kryesisht nga artistët autodidakt, entuziastë e idealistë, të ndihmuar edhe nga artistët profesionistë nga hapësirat tjera të ish-Jugosllavisë. Në vitet ’60, Ansambli i Teatrit pasurohet me kuadro të reja profesioniste, të shkolluara kryesisht në universitetet e ish Jugosllavisë /Ljubljan, Beograd, Zagreb/.

Në vitet e shtatëdhjeta, formohet Shkolla e Lartë Pedagogjike – dega e aktrimit, nga e cila shkollë dalin një numër I madh I aktorëve profesionist. Gjatë viteve të tetëdhjeta, nga akademitë e filmit e teatrit të Zagrebit, Lubjanës, Beogradit e Sarajevës, kthehen në Kosovë profile të ndryshme krijuesish si, dramaturgë, regjisorë e aktorë, të cilët krijojnë të ashtuquajturat ‘Vitet e Arta’ të teatrit. Gjatë kësaj periudhe, realizohen shfaqjet emblematike si: Erveheja, Shtetërrethimi, Makbethi, Duke Pritur Godonë, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Trungu Ilir, Ifigjenia në Aulidë, Verbimi i Samsonit, Procesi, Komfiteori, Varreza për Boris Davidoviqin, Bregu i Pikëllimit, Fausti, etj.

Deri në vitin 1989 ky teatër i ka realizuar mbi 400 premiera me rreth 10.000 repriza, të cilat janë përcjellë nga mbi 3.300.000 spektatorë. Repertori i këtij teatri është ndërtuar mbi tekstet ë verifikuara të dramaturgjisë kombëtare, botërore dhe ish jugosllave.

Shfaqjet e këtij teatri, të cilat janë prezantuar nëpër festivale të ndryshme me krakter kombëtar dhe ndërkombëtar në ish Jugosllavi, janë vlerësuar me tone të larta nga kritika e atëhershme dhe janë nderuar me çmime të shumta artistike. Teatri i Kosovës, është cilësuar si njëri ndër teatrot më të rëndësishme dhe më të mira të ish-Jugosllavisë.

Krahas shfaqjeve në gjuhën shqipe, në këtë teatër janë realizuar edhe shfaqje në gjuhën serbe. Bukur shpesh, sidomos pas vitit 1981 e këndej, ky teatër ka vepruar nën presione dhe trysni politike të ushtruara nga sistemi komunist jugosllav.

Në vitin 1990, regjimi serb e ka vënë TKK-në nën administrim të dhunshëm, duke i dëbuar nga teatri shumicën e artistëve shqiptarë duke vënë kontroll totalitar mbi krijimtarinë artistike teatrore. Gjatë kësaj periudhe, në një sistem shkollor universitar paralel të krijuar në kushtet e rezistencës paqësore kundër regjimit serb, nëpër shtëpitë – shkolla, u krijuan shumë nga kuadrot artistike, të cilat tashmë janë pjesë e Ansamblit Rezident të këtij teatri.

Në vitin 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, ky teatër pagëzohet me emrin Teatri Kombëtar i Kosovës. Gjatë 15 viteve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Teatri Kombëtar i Kosovës është institucioni supreme i kësaj lëmie. Financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Drejtor: Agim Sopi
Tel: 038 243 930
Web: www.teatrikombetar.info