Sporti i të hendikepuarve

Për të siguruar që të gjitha shtresat e popullsisë në Kosovë, përmes aktiviteteve sportive, të ndjehen të barabartë në shoqëri, është aprovuar politika programore për mbështetje të aktiviteteve sportive për kategorinë e njerëzve me aftësi të kufizuara (sporti i të hendikepuarve).

Gjatë vitit 2003 kjo kategori e shoqërisë është përkrahur me projekte për aktivitete sportive nga institucionet dhe shoqata të ndryshme.

Për shkak të vështirësive të përditshme me të cilat ballafaqohen njerëzit me aftësi të kufizuara, është detyrë e departamentit të sportit që të bëjë hapat e nevojshëm drejt përfshirjes më përmbajtësore të popullatës së hendikepuar kosovare në sport, integrimit dhe rehabilitimit – me çka përmirësohet edhe inkuadrimi i tyre në shoqëri.

Departamenti i sportit ka kontribuar në vënien e themeleve për formimin e federatës së sportit për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ka përkrahur një sërë projektesh si: turne në sporte të ndryshme; rekuizita sportive (specifike për këtë kategori); pjesëmarrja në gjysëm maratonën e Prishtinës; rekuizita grupore për shkollën speciale në Pejë; pjesëmarrja në Olimpiadën speciale në Irlandë; bashkëpunimi me shoqata dhe organizata të nivelit ndërkombëtar dhe organizimi i seminarit me pjesëmarrjen e ekspertëve nga jashtë.

Qëllimi/ Objektivi


Politika programore e sportit për të hendikepuar synon të arrijë:

  • Inkurajimin e marrjes me aktivitete sportive, masivizimin përmes programeve sportive specifike dhe të përshtatura për këtë kategori;
  • Përkrahjen e aktiviteteve sportive, trajnimin dhe zhvillimin e atletëve, duke krijuar kushte për gara;
  • Lehtësimin e qasjes në objektet sportive;
  • Organizimin e programeve për zhvillimin e resurseve njerëzore në administrim, trajnim, gjykim dhe organizim duke bërë aftësimin e tyre konform ndjeshmërisë dhe speficikave që ka sporti i të hendikepuarve.


Strategjia dhe Metodologjia e zbatimit


Metodologjia e realizimit të politikës programore për sportin e të hendikepuarve mbështetet në këto prioritete:

  • Inkurajimi i iniciativave prej klubeve lokale deri në nivel të federatave të sportit për organizimin e aktiviteteve sportive;
  • Krijimi i rrjetit me organizatat tjera të sportit për të hendikepuar, me intencën për të ngritur organizimin e këtij sporti në nivel të federatës së sportit;
  • Përkrahjen materiale për aktivitetet që kanë për qëllim përfshirjen, inkurajimin dhe masivizimin e sportit për të hendikepuar;
  • Organizimin e seminareve për zhvillimin e aftësive menagjuese me ekspertë të kësaj lëmie specifike;
  • Motivimin dhe ndikimin në respektimin e standardeve të pranueshme ndërkombëtarisht sa i takon qasjes në objektet sportive për njerëzit me aftësi të kufizuara.